Sporti

PSG do të ankohet zyrtarisht për Realin në FIFA, parisienët i kanë borxh Mbappes 40 milionë nga sot

08/01/2023 14:38
nga:Lorik J

Drejtuesit e Paris Saint-Germain po mendojnë të bëjnë një ankesë zyrtare në FIFA në lidhje me veprimet e Real Madridit rreth sagës Kylian Mbappe. Arsyeja për këtë është se Parisi është i bindur se sulmuesi tashmë ka një marrëveshje me madrilenët për të kaluar në Santiago Bernabeu si lojtar i lirë verën e ardhshme.

Ngurrimi i Mbappe për të nënshkruar një kontratë të re, e kombinuar me refuzimin e tij për të negociuar me klube të tjera për një transferim tani, dëshmon marrëveshjen e kapitenit të Francës me Realin, sipas mediave franceze.

Rregulloret e FIFA-s ndalojnë negociatat dhe marrëveshjet ndërmjet një klubi tjetër dhe lojtarit në fjalë më shumë se gjashtë muaj përpara skadimit të kontratës së lojtarit. Kjo do të thotë se nëse vërtet PSG mund të provojë negociatat dhe një marrëveshje paraprake midis Mbappe dhe Real, klubi mbretëror mund të ndëshkohet nga FIFA. Sanksioni më i rëndë për shkelje të tilla është ndalimi i merkatos për një periudhë të caktuar kohore ndaj klubit që ka shkelur rregullat.

Ndërkohë dje ka skaduar afati që Mbappe të aktivizojë opsionin për të vazhduar kontratën me PSG-në edhe me 12 muaj shtesë. Prej ditës së sotme, klubi francez tashmë i detyrohet gjysmës së bonusit të besnikërisë që përfshihet në kontratën e sulmuesit. Shuma e plotë e tij është 80 milionë euro. Gjysmën e parë duhet ta marrë Mbappe nëse është ende lojtar i PSG-së më 1 gusht, që është fakt. E dyta aktivizohet pikërisht pas një muaji. Për shkak të kësaj, klubi do të bëjë gjithçka që është e mundur për të shitur Mbappe para 31 gushtit për të kursyer të paktën pagesën e dytë prej 40 milionë euro.

/GazetaBlic Sport