Lajme

Pse nuk u bë koalicioni PDK-Nisma? Abdullahu tregon arsyen – i bindur se PDK e vetme do ta formojë Qeverinë e ardhshme

01/25/2024 14:53
nga:G B

Qeveria Kurti shquhet për fjalamani e vjersha politike, por pa rezultate.

Kështu vlerëson Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së, në një intervistë për Gazeta Blic, derisa thotë se qytetarët po ikin nga Kosova pasi s’ka shpresë se mund të bëhet më mirë.

“Kjo  qeveri shquhet për fjalamani, me vjersha politike, por qytetari i Kosovës, barku i qytetarit nuk ngopet me fjalë, duhen rezultate konkrete. Mjafton të përmendet ikja e qytetarëve, jo vetëm tani kur u morën vizat por tash e sa kohë, një prirje e sofistikuar qëllimshëm dhe nga zori që të largohen nga Kosova, sepse nuk kanë shpresë se kjo qeveri mund ta bëjë më mirë këtë vend, janë të zhgënjyer shumë sepse kjo qeveri as nuk di e as nuk mundet dhe me kryeneçësi nuk e pranon asnjërën”, thotë ai.

Andaj, sipas tij, qeveria duhet të largohet sa më shpejt dhe është PDK ajo që do të punojë me qytetarët për të mirën e tyre.

“Kjo qeveri duhet të largohet sa më shpejt, është në të mirën e Kosovës, qoftë në të metat që i kemi në raport me Serbinë, me SHBA-të e BE-në, por edhe në raport me kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Sa më shpejt, aq më mirë. PDK është ajo që do të ofrojë dhe është duke punuar me një potencial gjithandej me qytetarë për t’i besuar asaj, si parakusht për ta përmbysur, për ta larguar këtë qeveri që thjesht nuk di”, thekson ai.

Lidhur me rezultatet që pret PDK në zgjedhjet e ardhshme, Abdullahu thotë se është vështirë të flitet tani për përqindje, teksa shton se PDK është partia më e madhe opozitare dhe ka qenë e para në zgjedhjet lokale dhe e tillë sipas tij do të dalë edhe në zgjedhjet parlamentare.

“Është e vështirë tash të flasim për përqindje, por çfarëdo përqindje që unë e them ose që e kanë thënë të tjerët, unë ua kujtoj atyre se është PDK partia më e madhe opozitare, PDK është subjekti politik i Kosovës në të gjitha kohërat, po ashtu kemi qenë të parët në zgjedhjet lokale. E di se kur them kështu, shumë mund të thonë se zgjedhjet lokale janë ndryshe nga ato nacionale, ka të drejtë në disa segmente por megjithatë, kur na thuhej se do të dështojmë prapë edhe në zgjedhje lokale, nuk doli ashtu, dolëm të parët dhe kështu do të dalim edhe në të ardhmen e afërt në zgjedhjet parlamentare”, potencon  zëdhënësi i PDK-së, për Gazeta Blic.

Ai ka folur edhe për koalicionin AAK-Nisma dhe deklaratat se pse PDK s’ka bërë koalicion me Nismën.

Abdullahu thotë se PDK ka vendosur që në zgjedhje të garojë e vetme.

“Edhe më herët, si PDK ne kemi vendosur që në zgjedhje të ardhshme parlamentare ne shkojmë si parti e vetme, ne garojmë të vetme, e kemi detektuar, e kemi hulumtuar terrenin, kemi bërë takime të ndryshme, për të ardhur deri te ky përfundim që është më i miri dhe më i ndershmi me të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thekson ai.

Ndërsa, shton se nuk i komentojnë koalicionet tjera partiake, por që potencon që PDK do të bëjë koalicion me të vërtetën dhe ta bëjë e vetme Qeverinë.

“Nuk i komentojmë rirreshtimet tjera partiake por ne do të bëjmë koalicion me të vërtetën, kundër populizmit, ne do të bëjmë koalicion me mundësinë e re progresive, kundër ngufatjes regresive që e kemi sot. Ne do të bëjmë koalicion me Kosovën kundër Serbisë, që dëshiron ta ndajë e përçajë këtë Kosovë. Kjo është ajo që ne ofrojmë, këtu jemi të bindur dhe nuk kush e ndalë PDK-në për të qenë e tillë, për të garuar e vetme dhe për të fituar e vetme, për ta bërë qeverinë, për ta nxjerr këtë vend ku po sharron dhe ku nuk po hetohet se sa shpejt po deformohet”, deklaron Faton Abdullahu./Gazeta Blic/

Zëdhënësi i PDK-së: Sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, aq më mirë – Qeveria po jep mesazheve konfuze për Asociacionin

“PDK e Lista Serbe i njëjti brum”/ Abdullahu për deklaratën e Sallahut: E neveritshme – furraxhi që po i djeg gjërat vazhdimisht