Protesta e Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës para Qeverisë filloi përsëri me fishkëllima e pankartat “Mos na rrezikoni ekzistencën e familjeve”,“Qeveria pronare punëtorët në rrugë”, “Qeveria të merr përsipër pagat”.
Kryetar i Sindikatës, Shkumbin Goqi, në emër të punëtorëve kërkoi përsëri miratimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës.
“Edhe sot si herëve tjera në mënyrë simbolike kemi dalë me protestë para objektit të Qeverisë për t’ kërkuar të drejtat tona sa i përket miratimit të Ligjit dhe përmbushjes së obligimeve për paga që i ka për punëtorët. Ne e kemi pas një pauzë, dy ose tre javë prej protestës së kaluar për shkak se jemi takuar me disa persona që na kanë ofruar vetë, na kanë ofruar mbështetje, do të bisedojmë me Qeverinë edhe kemi mbajt shpresë se do të reflektojnë sa i përket çështjes sonë”. u shpreh Goqi.
Tutje, ai deklaroi se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Qeveria përkundër që janë ankuar në disa mënyra. Sipas tij, në veri të vendit Lotaria e Serbisë po funksionon dhe kërkoi përgjegjësi nga institucionet.
“Foto që veç një lojtar i ka dërguar prej pjesës veriore të Mitrovicës ku neve na mohohet e drejta për me organizu lojëra të fatit si Lotari e Kosovës. Kurse lojtari na dërgon edhe me foto, me dëshmi që Lotaria e Serbisë organizon në territorin tonë. Krejt zonat ku ka popullatë serbe organizohet lotaria, pyeteni kryeministrin edhe ministrin e Financave se qysh është e mundur kështu. 100 familje me i lanë pa bukë, pa punë, kurse Lotaria e Serbisë vjen na organizon lojën tonë, vjen në territorin tonë”.
Goqi tregoi se para disa ditësh është takuar me kryetarin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, por që i njëjti më nuk është përgjigjur.