Sporti

Prokuroria kërkon që të arrestohet xhudisti Akil Gjakova

04/13/2024 18:58
nga:Mergim Rreci

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar arrestimin e xhudistit Akil Gjakova, i cili është i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi. Ai ka thënë se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për arrestimin e xhudistit pejan.

“Prokurori i shtetit ka pranuar një procesverbal te një kontesit civil nga gjyqtari dhe është njoftuar nga avokatja e palës së dëmtuar se ka element të vepër penale të dhunës në familje. Menjëherë është autorizuar Policia e Kosovës nga Prokurori i shtetit për arrestimin e te dyshuarit dhe marrjen e masave ligjore ndaj tij”, ka konfirmuar Nikçi.

Xhudisti Akil Gjakova dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe sipas ‘Sinjali’,  ai aktualisht është edhe në prag të divorcit.