gram kokainë, të martën është dhënë fjala përfundimtare, ku prokurori special Valdet Gashi kërkoi që të akuzuarit, Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi të dënohen, ndërkaq mbrojtësi i Izet Sheqirit, avokati Florent Latifaj tha se të vetmit që po gënjejnë janë Prokuroria.
Mbrojtësi i Izet Sheqirit, avokati Florent Latifaj, Prokurorisë i tha se janë ata të vetmit që gënjejnë lidhur me këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në fakt siç do ta shihni më vonë me video-incizime, të vetmit që gënjejnë këtu janë Prokuroria, jo vetëm që gënjejnë duke folur, por nuk e thonë të vërtetën e asaj që e kemi parë ne e ju”, tha Latifaj.
Fillimisht, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim prokurori special, Valdet Gashi, duke vijuar më tutje me elaborimin e saj.
Sipas Gashit, sasia e narkotikut prej 400 kilogramëve kokainë është porositur pas aprovimit paraprak të të akuzuarit Izet Sheqiri përmes Faton Vrajollit te kompania “Seara”, nga e cila blihej mishi i bardhë.
Gjithnjë sipas Gashit, qëllimi ka qenë transportimi i narkotikut dhe shpërndarja nëpër destinacionet që paraprakisht janë dakorduar nga të akuzuarit me në krye Izet Sheqirin.
Tutje, sipas prokurorit, të akuzuarit udhëhiqeshin nga Izet Sheqiri dhe se kishin role të caktuara paraprakisht me qëllim të shpërndarjes së narkotikut e më pas përfitimit pasuror të tyre.
Për qëllime të shpërndarjes së narkotikut, sipas Gashit, i akuzuari Vrajolli dhe Kadri Sheqiri ishin takuar dy muaj para se të arrinte droga në Prishtinë te tregu i veturave dhe në Dragodan.
Prokurori tha se në anën tjetër i akuzuari Fehmi Bytyqi, që kishte vozitur kamionin që kishte drogën në brendësi, nga Shqipëria në Kosovë, kishte zhvilluar komunikime me të akuzuarin Izet si udhëheqës i grupit.
Lidhur me këtë rast, Gashi tha se janë zhvilluar edhe masa të fshehta hetimore, ku i akuzuari tjetër Kadri Sheqiri në bashkëbisedim me gruan e tij kishte sqaruar se si Izeti po kërkonte nga ai që t’i lihet faji të akuzuarit Vrajolli.
Më tutje, Gashi tha se kompania MC FOOD realizon të hyra milionëshe, çka sipas tij, ka nënkuptuar një qëndrueshmëri financiare që të merren me aktivitete kriminale.
Lidhur me të akuzuarin Kadri Brahimi si depoist i kompanisë, Gashi tha se roli i tij gjithashtu ishte aktiv për faktin se personalisht kishte shkarkuar narkotikun nga kontejneri, edhe përkundër që nuk ishte detyrë e tij.
Lidhur me mbrojtjen e të akuzuarve, Gashi tha se përmes mbrojtjes së dhënë kanë tentuar t’i ikin përgjegjësisë penale për veprimet që kanë ndërmarrë, duke gënjyer lidhur me rrethanat që kanë deklaruar e që nuk kanë mbështetje në provat materiale.
Në fund, Gashi kërkoi dënimin e të akuzuarve bazuar në ligjet në fuqi, duke llogaritur si rrethanë rënduese ndër të tjera sasinë e narkotikut.
Më pas, me fjalën përfundimtare vazhdoi avokati Latifaj, duke deklaruar se përderisa Prokuroria pretendon se droga është porositur përmes e-mailit, atëherë pse nuk janë të gjithë personat të akuzuar që figurojnë në e-mailin kur është porositur mishi i bardhë në Brazil.
Avokati Latifaj tha se në rast se merret kallëzimi penal dhe aktakuza duke iu hequr dispozitivi, shihet se fjala përfundimtare është kopje e tyre, duke ndryshuar vetëm renditja e fjalive.
Gjithashtu, Latifaj tha se rasti e ka kthyer në fëmijërinë e hershme, kur thuhej se “në atë vend ku nuk ka drejtësi, nuk bën me jetu”.
Lidhur me rastin, tha se të ngjashme në vazhdimësi ndodhin në shtetet më evropiane siç është Gjermania dhe atë konkretisht te marketi “Aldi”, ku mbi tri raste ishte gjetur drogë dhe se nuk ishte arrestuar pronari i marketit apo transportuesit pasi që është vërtetuar se droga është futur gjatë transportit nga grupe të tjera kriminale.
Latifaj shtroi pyetje se përderisa Izet Sheqiri akuzohet për blerje, shpërndarje apo shitje të narkotikut, sipas tij, pse gjatë aksionit apo hetimeve nuk u gjet peshorja, qeset apo mjetet tjera që shërbejnë për paketimin dhe shpërndarjen e narkotikut ashtu siç pretendon Prokuroria.
Më tutje, Latifaj tha se nga video-incizimet shihet se paketimi ku është gjetur narkotiku nuk është veçuar nga paketimet e tjera gjatë zbrazjes prej kontejnerit, pretendim që sipas tij, Prokuroria kishte deklaruar se droga ishte veçuar nga i akuzuari Kadri Brahimi.
Për të akuzuarin Izet, avokati Latifaj tha se i njëjti ka një rreth familjar, shoqëror dhe kolegial që nuk merren me vepra penale, duke shtuar se asnjëherë nuk ka rënë ndesh me ligjin as ai as familja, por rrethi i personave me të cilët vepron.
Lidhur me pretendimin tjetër se i akuzuari Izet kishte shkuar në vikend te kompania pasi që ishte në dijeni të narkotikut, sipas Latifajt, nuk qëndron një pretendim i tillë pasi që ditët e vikendit, siç edhe dëshmohet nëpër datat e tjera të video-incizimeve, për Izetin sipas tij janë ditë pune.
Për të akuzuarin Izet Sheqiri, Latifaj tha se nuk ekziston vepra penale e narkotikut dhe se është porositur mish, ka blerë mish dhe ka shpërndarë mish e jo narkotik, dhe se sjelljet e tij para, gjatë dhe pas ditës kritike janë sjellje rutinore si pronar i kompanisë.
Vetë dëshmitarët e Prokurorisë por edhe mbrojtjes, sipas Latifajt, dëshmojnë një rrethanë të vetme dhe atë se puna ishte njësoj si më herët në kompani dhe se nuk ishin në dijeni për narkotikun të akuzuarit.
Më pas, me të filluar dhënia e fjalës përfundimtare nga mbrojtësi i Vrajollit, avokati Leotrim Syla, duke sqaruar rrethanat e blerjes së veturës nga klienti i tij, seanca u ndërpre për të vazhduar më tutje gjatë këtij muaji.


