Lajme

Profesori britanik ‘fajëson’ Borrellin: Është normale që Kurti ka paraqit kushte, Vuçiq po i frikësohet mbështetjes së tij në Beograd

06/27/2024 19:03
nga:G C

Profesori nga University College London, Eric Gordy thekson se paraqitja e kushteve për takim është normale, referuar këtu tri kërkesave që kryeministri Kurti kishte ditën e djeshme për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Gordy në një përgjigje për GazetaBlic, thekson se edhe Borrelli do të duhej të merrte hapa për parandalimin e përshkallëzimit të situatës që i parapriu këtij takimi.

“Paraqitja e kushteve është një pjesë mjaft normale e procesit të negociatave, në shumicën e kushteve Vuçiq ose do t’i pranonte kushtet ose do të shpjegonte pse nuk i pranon. Në shumicën e rasteve do të ishte gjithashtu e arsyeshme të pritej që ndërmjetësit (në këtë rast Borrell) të parandalonin atë lloj përshkallëzimi që i parapriu këtij takimi”, tha Gordy.

Teksa ka komentuar qëndrimet e Kurtit, Gordy thekson se Kurtit po i duket që BE-ja po i bën lëshime Serbisë, dhe sipas tij, kryeministri e ka pa të nevojshme të tregojë “forcë”.

Ndërsa, për Vuçiqin, Gordy thekson se problemi i tij është populli dhe deputetët e Serbisë, pasi, çdo dialog i tij me Kosovën, është dorëzim i Vuçiqit për ta.

“Nuk është e vështirë të kuptosh mënyrën se si Kurti dhe Vuçiq i perceptojnë qëndrimet e tyre. Kurti ndjen nevojën për të shfaqur forcë pas një periudhe në të cilën dukej sikur po i bëheshin lëshime të tepërta Serbisë. Sa i përket Vuçiqit, ai mendon se është në rrezik nga baza e tij e brendshme e mbështetjes në krahun e djathtë, të cilët e shohin çdo lloj dialogu me Kosovën si një formë dorëzimi”, tha Gordy.

Tutje, Gordy thotë se pas gjithë këtyre peng po mbahen qytetarët e dy shteteve, edhe Kosovës, por edhe Serbisë.

“Vështirësia këtu është se sa e lehtë është të kuptosh pse politikanët refuzojnë të bisedojnë me njëri-tjetrin për arsye strategjike, efektivisht po i mbajnë peng qytetarët. Njerëzit, jetët e të cilëve mund të përmirësohen me një zgjidhje të arsyeshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë të detyruar të presin që vala e narcizmit të tërhiqet”, tha Gordy për GazetaBlic.

Kushtet e Kurtit për takim me Vuçiqin, Qalaj: Të vendosësh kushte pasi të shkosh atje është jo serioze