Lajme

Profesori amerikan: Vizita e Kurtit në SHBA nuk ishte zyrtare, Biden nuk takohet me kryetarë shteti pse vijnë për vizitë në Amerikë

06/06/2022 21:49
nga:G B

Profesori dhe eksperti amerikan, Alon Ben Meir, është deklaruar rreth vizitës së kryeministrit Albin Kurti në SHBA, për të cilën ka thënë se nuk është zyrtare, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se presidenti amerikan Joe Biden nuk takohet me asnjë kryetar shteti që është në SHBA për vizitë.

“Vizita e #Kurtit në SHBA nuk ishte zyrtare. Presidenti amerikan nuk takohet me asnjë kryetar shteti vetëm sepse ata kanë ardhur në SHBA për çfarëdo qëllimi. Kështu, mostakimi me Presidentin Biden nuk sugjeron se ai thjesht u shpërfill”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se është e vështirë të matet se a ishte e suksesshme apo jo vizita e Kurtit në SHBA.

“Nëse ishte e nevojshme që #Kurti të qëndronte tre javë në SHBA, varet vërtet nga agjenda e tij në radhë të parë. Është e vështirë të matet në këtë moment nëse vizita e #Kryeministrit të Kosovës Kurti në SHBA ishte e suksesshme apo jo. Nga këndvështrimi i tij, vizita ishte e suksesshme”, ka shkruar më tej analisti amerikan, raporton Gazeta Blic.

Ben Meir ka shtuar se dyshon nëse Kurti është këshilluar për kohën e vizitës dhe takimet, përpara nisjes së vizitës në SHBA.

“Supozoj se Kurti ka marrë parasysh kohën e vizitës së tij. Si rregull, dyshoj shumë nëse #Kurti nuk është konsultuar me këshilltarët për kohën e vizitës së tij dhe nëse ai kishte siguruar apo jo takimet e tij me zyrtarët e #SHBA-së dhe drejtuesit e biznesit përpara se të niste vizitën e tij”, ka shkruar Alon Ben Meir në Twitter./Gazeta Blic/