Lajme

Procesi i Berlinit|| Kërkohet qasje serioze e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor – këto janë përfitimet e Kosovës

11/01/2022 14:38
nga:G B

Me 3 nëntor në Berlin do të mbahet Samiti i radhës i Procesit të Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.

Aty do të jenë liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me të cilët ai pritet të diskutojë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij.

Pjesëmarrës në këtë Samit do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe emisari i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lidhur me pritjet nga ky proces, për Gazeta Blic ka folur deputeti i VV-së, Agon Batusha dhe analistë.

Batusha beson se Kosova do t’i ketë përfitimet e saj dhe se aty do të respektohet shtetësia, integriteti e sovraniteti i shtetit të Kosovës.

“Procesi i Berlinit është e vetmja platformë për Kosovën drejt rrugës integruese në BE. Unë besoj që Kosova do të ketë përfitimet e saja nga ky proces dhe mbi të gjitha do të respektohet shtetësia, integriteti dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës. Sa më shumë hapa pozitiv në këtë proces, aq më mirë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.

Deputeti takimin e 3 nëntorit e sheh si mundësi për ne dhe BE-në që të tregojë qasjen serioze ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“E takimi i 3 nëntorit është një mundësi për ne dhe për shtetet e BE-së dhe vetë BE-në që të tregojë që qasja e saj ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor është serioze”, vlerëson deputeti i VV-së, Agon Batusha për Gazeta Blic.

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Dorajet Imeri, vlerëson se ky Proces dhe nënshkrimi i marrëveshjeve mes të gjitha palëve ka dy gjëra me rëndësi.

“Mbajtja e samitit të radhës të Procesit të Berlinit, nënshkrimi i marrëveshjeve mes të gjitha palëve ka dy gjëra me rëndësi, e para se ky proces është ‘’origjinali’’ përmes së cilit BE-ja synon të evropianizojë shtetet e Ballkanit që janë në proces të anëtarësimit në të dhe e dyta tregon se Open Ballkan është shtirje”, thekson ai për Gazeta Blic.

Sipas Imerit, Kosova do të përfitojë dy gjëra në këtë proces, ndërsa një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit sipas tij mund të jetë i rastësishëm.

“Kosova do të jetë fituese për dy gjëra, e para se është pjesë e këtij procesi dhe do të përfitojë nga lehtësimet që ofrojnë këto mundësi dhe e dyta, tregon se është pjesë e proceseve integruese. Takimi me Vuçiçin mund të jetë i rastësishëm, por nuk është thirrur një takim i tillë”, potencon Dorajet Imeri.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Gazmir Raci, beson se Kosova do të përfitojë në këtë proces dhe nga ato marrëveshje.

“Natyrisht se nga çdo marrëveshje e tillë me ndikim rajonal që do të përfitojë edhe Kosova. P.sh, nëse arrihet marrëveshja për lëvizje të lirë me ID karta, atëherë qytetarët boshnjakë të Kosovës do të kenë mundësi direkte të përfitimit por edhe bizneset e ndryshme”, thekson ai.

Raci nga ky samit pret që të bëhet e qartë perspektiva evropiane për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, derisa sipas tij, kjo do të bëjë që sa më shpejt të ndërpritet ndikimi i Rusisë në këtë pjesë të Evropës.

“Por, mbi të gjitha, unë pres që në këtë samit të bëhet e qartë perspektiva evropiane për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor për integrim në BE, kjo është me rëndësi. Na duhet qartësi nga BE për këtë proces. Sa më shpejt që e kemi të qartë  rrugën për BE, aq më shpejt do të ndërpritet ndikimi i Rusisë në këtë pjesë të Evropës Juglindore”, deklaron Gazmir Raci për Gazeta Blic.

Kujtojmë që ditë më parë Gazeta Blic ka publikuar 4 marrëveshjet që pritet të nënshkruhen me 3 nëntor.

1.Marrëveshja për lëvizje me Karta të Identitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor;
2.Marrëveshja për njohje të diplomave;
3.Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve;
4.Marrëveshja për lirinë e lëvizjes për personat e vendeve të treta me leje qëndrim në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor./Gazeta Blic/

 

Ekskluzive || 4 marrëveshjet që pritet të nënshkruhen në Procesin e Berlinit më 3 nëntor