Skuadra e Prishtinës po dominon në Superligën U21 në edicionin e parë të kësaj gare.
FC Prishtina U21 ndodhet në vendin e parë në tabelë me 32 pikë pas 13 xhirove, nëntë më shumë se ndjekësi më i afërt, FC Ballkani, përcjell GazetaBlic Sport.
Në krye të Prishtinës U21 është Azem Ahmeti, ish futbollist i njohur – tanimë trajner i ekipi kryeqytetas.
Ahmeti shprehet shumë i lumtur me fillimin e kampionatit, duke thënë se në ekipin e tij ka shumë punë e përkushtim.
“Po që në vitin e parë të formimit të liges u21, ne si trajnerë të këtij ekipi së bashku me gjithë lojtarët kemi marrë me shumë seriozitet çdo ndeshje – tu pas parasysh se është një ligë që marrin pjesë gjitha ekipet e Superligës edhe normalisht e kemi ditë se nuk do të jetë lehtë, të kënaqur do jemi në fund nëse arrijmë me mund të dalim të parët – po nuk duhemi anshkalu futbollistët që kanë shumë përkushtim në punë dhe që po shfaqin shume uri për çdo ndeshje”, tha fillimisht Azem Ahmeti për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai thotë se Superliga U21 është shumë e dobishme për futbollin vendor, sidomos për futbollistët e ri, pasi i ndihmon të kenë përvojë.
“Është një ligë e re, që sjell shumë benefite tek futbollistët – e sidomos tek futbollistët e ri në moshë, që në fillet e karrierës së tyre nuk gjejnë hapësirë edhe shumë tek ekipet e parë, prandaj këtu kanë mundësi të zhvillojnë ndeshje dhe të kaliten, të fitojnë përvojë dhe të jenë më të gatshëm për ekipet e para. Si ligë është shumë e mirëseardhur si për klubet, poashtu edhe për futbollistët, po normalisht edhe për trajnerë”, vazhdoi trajneri.
Në fund, Azem Ahmeti potencoi se ka ende shumë punë deri në fund, por synimi i tyre mbetet titulli kampion.
“Jemi në rrugë të mirë, por që do jetë vështirë deri në fund, vetëm gjysëm-stinori i parë ende s’ka mbaruar, ka shumë lojë deri në fund, por do jemi konkurrent e do të luftojm deri në fund që të dalim kampion”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


