Një rrugë në kryeqytet tash e tutje do ta mbajë emrin e diplomatit amerikan Frank G. Wisner, në shenjë nderimi për kontributin e tij në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës dhe mbështetjen për pavarësinë e vendit.
Propozimi për emërtimin e rrugës është shqyrtuar në një seancë solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku ishin të pranishëm edhe familjarët e diplomatit si dhe e ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati. Pas miratimit, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me familjarët e diplomatit amerikan, kanë shpalosur pllakën me emrin e rrugës.
Në këtë ceremoni, Rama vlerësoi rolin e Wisnerit në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke theksuar se përmes përvojës dhe përkushtimit të tij diplomatik, ai u bë pjesë e rrugëtimit të vendit drejt pavarësisë.
“Frank ishte një njeri i tillë. Për pjesën më të madhe të jetës së tij, ai i shërbeu Amerikës përmes diplomacisë dhe, përmes këtij shërbimi, u bë pjesë e historisë së Kosovës”, u shpreh Rama.
Ai tha se Wisner e kuptonte se pas çdo negociate diplomatike qëndronin njerëz të vërtetë, familje që dëshironin siguri për fëmijët e tyre, të rinj që ëndërronin mundësi dhe qytetarë që kërkonin të jetonin me dinjitet në shtetin e tyre.
Në ceremoni foli edhe vajza e diplomatit, Salina Wisner, e cila falënderoi institucionet e Prishtinës për nderimin dhe kujtoi lidhjen e veçantë që babai i saj kishte krijuar me Kosovën.
Ajo tha se Frank Wisner ndante me familjen përvojat dhe angazhimin e tij diplomatik, ndërsa kujtoi me emocion mënyrën se si ai fliste për kohën e kaluar në Kosovë.
“Kam kujtime të mrekullueshme duke e dëgjuar teksa fliste me shumë dashuri për gjithë kohën e kaluar këtu. Më vjen keq vetëm që ai nuk është më mes nesh për të ndarë edhe më shumë kujtime”, tha Salina Wisner.
Ajo theksoi se angazhimi i babait të saj si i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet për statusin e Kosovës, nga viti 2005 deri në vitin 2009, ishte një detyrë në të cilën ai besonte thellësisht dhe që e kujtoi me krenari gjatë gjithë jetës.
“Prishtina dhe ky vend do të kenë gjithmonë një vend në zemrat e familjes sonë”, u shpreh ajo.
Roli i Frank G. Wisnerit në procesin e pavarësisë
Frank G. Wisner shërbeu si përfaqësues i posaçëm i presidentit amerikan dhe sekretarit të Shtetit për statusin e Kosovës, në një periudhë vendimtare për të ardhmen e vendit.
Në nëntor të vitit 2005, ai u emërua nga Shtetet e Bashkuara për të koordinuar qëndrimin amerikan me vendet e Grupit të Kontaktit dhe për të mbështetur procesin e udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari.
Gjatë negociatave, Wisner ishte një nga ndërlidhësit kryesorë ndërmjet Uashingtonit, Prishtinës, Beogradit dhe kryeqyteteve evropiane, duke mbështetur përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Procesi kulmoi me paraqitjen e Propozimit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në mars të vitit 2007, me rekomandimin për pavarësinë e Kosovës.
Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit.
Diplomati amerikan Frank G. Wisner vdiq më 24 shkurt 2025, në moshën 86-vjeçare.
Me emërtimin e rrugës në kryeqytet, emri i tij do të mbetet pjesë e hapësirës publike të Prishtinës, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në procesin historik të Kosovës./RTK/.

