Lajme

Presidentja Shiroka-Pula në Ditën e Forcës: FSK-ja është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës

11/27/2026 08:54
nga:L J

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Në një mesazh me rastin e 27 Nëntorit – Ditës së Forcës, presidentja ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e FSK-së, burra e gra, të cilët shërbejnë në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ajo theksoi se ushtria e Kosovës është rezultat i sakrificës së popullit dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si simbol të lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë.

Shiroka-Pula, në cilësinë e presidentes dhe Komandantes Supreme, tha se mbetet e përkushtuar në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj.

Ajo gjithashtu vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë strategjikë, me synimin për ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s.

Në mesazhin e saj, presidentja nderoi edhe Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet frymëzim për brezat e sotëm.

Postimi:

Mesazhi i Presidentes Shiroka Pula për Ditën e Forcës

Në Ditën e Forcës, nderojmë me krenari dhe mirënjohje të gjithë burrat dhe gratë në uniformën e FSK-së, të cilët i shërbejnë mbrojtjes së lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë.

Ushtria jonë mishëron aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt. E ndërtuar mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo dëshmon vendosmërinë tonë për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e fituar me sakrificë.

Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme, mbetem e palëkundur në përkushtimin tim për forcimin e ushtrisë sonë, avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj.

Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në këtë ditë, përulemi me nderim të thellë para Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Sakrifica e tyre mbetet burim i përhershëm frymëzimi dhe përgjegjësie për secilin prej nesh.

Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët.

Urime 27 Nëntori – Dita e Forcës!