Lajme

Presidentja Osmani fillon vizitën shtetërore në Zvicër

05/21/2025 13:14
nga:Y I

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në Bern, ku do të zhvillojë një vizitë shtetërore dyditore në Zvicër.

Osmani ndodhet në këtë vizitë me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu.

E para e shtetit ka publikuar pamje në Facebook pas arritjes Bern.

Sipas njoftimit të Presidencës, në Rezidencën zyrtare Lohn do të bëhet pritja me nderime shtetërore dhe do të mbahet një drekë pune, ku Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, do të priten nga presidentja Keller-Sutter dhe Zotëria i Parë, Morten Keller.

“Më pas, në sheshin qendror të Bernës, Bundesplatz, do të mbahet ceremonia shtetërore e mirëseardhjes me nderime ushtarake, ku ndër të tjera Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do të kenë rastin të përshëndeten edhe me qytetarë të shumtë që do të marrin pjesë në këtë moment simbolik të miqësisë ndërmjet dy vendeve. Programi i vizitës do të vazhdojë me ceremoninë shtetërore në Parlamentin e Zvicrës, ku Presidentja Osmani do të mbajë një fjalim të posaçëm para përfaqësuesve të institucioneve zvicerane. Po ashtu, gjatë qëndrimit të saj në Bernë, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime të ndara me drejtues të institucioneve federale”, thuhet në njoftim.