Sporti

Presidenti Krasniqi: Feronikeli ’74 tregoi karakter në Prizren, një fitore e madhe dhe emocionuese ndaj Lirisë

09/26/2023 12:29
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Feronikelit ’74 ka arritur një fitore të jashtëzakonshme ndaj Lirisë në xhiron e kaluar.

‘Industrialistët’ triumfuan me rezultat 3 me 5, pas një përmbysje të mrekullueshme nga 3 me 0 në 3 me 5, shkruan GazetaBlic Sport.

Kur kishin kaluar 12 minuta lojë, Liria ishte në epërsi prej tre golave 3-0 dhe të gjithë menduan se kjo ndeshje përfundoi sa i përket fituesit.

Përkundër dominimit të vendasve në minutat e para, Feronikeli ’74 filloi të merrte vetën pasi kaluan gjysmë ore lojë, duke filluar edhe rikthimit e madh nga minuta e 35-të, kur realizoi për 3-1 Razcak.

Jakup Berisha me dy gola, Florent Avdyli me një tjetër dhe Robert Rrahmani me të fundit u përkujdesën për rikthimin spektakolar të Feronikelit ’74.

Presidenti i kësaj skuadre, Erlind Krasniqi është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’, atje ku tha se ky takim ishte i mbushur me emocione dhe se është jashtëzakonisht i lumtur me atë se çfarë kanë bërë futbollistët e tij.

“Ishte ndeshje përplotë emocione, i provuam të gjitha brenda 90 minutave, i përgëzoj lojtarët për karakterin e treguar përkundër faktit që ishim duke humbur 3-0”, tha fillimisht Krasniqi.

Tutje, ai u pyet nëse kjo ndeshje mund të jetë një motiv i shtuar për futbollistët e skuadrës së tij, të cilët dëshmuan se mund të bëjnë ndeshje të mëdha.

“Patjetër që duhet të jetë motivim shtesë, sidoqoftë mendoj që në ndeshjen e radhës duhet të hyjmë me ‘këmbë në tokë’. Lojtarët tashmë e dijnë që s’ka rezultat që i ndal, prandaj secili duhet të ketë më shumë besim tek vetja, nuk është punë e vogël kjo që kanë bërë në Prizren”, përfundoi Krasniqi.

Në xhiron e radhës, Feronikeli ’74 do të përballet me skuadrën e Dritës, me takimin që zhvillohen të enjten me fillim nga ora 15:00.

/GazetaBlic Sport/