Sporti

Presidenti i Napolit vjen me propozim interesant: Kampionati të nisë më 1 prill!

05/12/2023 17:44
nga:Mergim Rreci

Aurelio De Laurentiis ka hedhur një ide interesante në lidhje me Serie A. Presidenti i Napolit, i cili njihet për deklaratat e tij të drejtpërdrejta dhe të veçanta, ka një sugjerim për të ardhmen e kampionati italian.

“Në Itali kemi një problem të madh me stadiumet. Përveç disa përjashtimeve të rralla, shumica e stadiumeve janë të vjetra. Ka pista atletike dhe ndeshjet shihen keq. A duam të sjellim familje në stadiume në këto kushte?

A duam të sigurohemi që njerëzit të mund të qëndrojnë në stadium gjatë gjithë ditës për t’u argëtuar dhe për të ngrënë? Kam edhe një pyetje tjetër: përse duhet të luajmë në dimër me dëborë, shi dhe breshër?

Kaq e pamundur është t’i nisim kampionatet më 1 prill? Nuk është shaka e 1 prillit, është domosdoshmëri. Brenda 7 muajve deri në muajin tetor, mund të luhen kampionatet dhe turnetë europiane.

Futbollistët do të kenë mundësi të pushojnë për 5 muaj: nga nëntori deri në mars. Periudhë gjatë së cilës mund të luajnë skuadrat kombëtare.

Nëse unë kam lojtarë afrikanë në skuadër, pse duhet të privohem prej tyre për Kupën e Afrikës në janar? UEFA dhe FIFA mungojnë për shkak të egocentrizmit dhe egoizmit”, u shpreh kreu i klubit të Napolit.