Ballkani dhe Ferizaj përballen nesër në njërën nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Të dy skuadrat luftojnë për fitoren e madhe, pavarësisht se kanë objektiva diametralisht të kundërta, suharekasit kërkonë titullin kampion, kurse mysafirët mbijetesën në nivelin elitar të futbollit kosovar.
Presidenti i skuadrës së Ferizajt, Lulzim Abazi tha për ‘GazetaBlic Sport’ se shkojnë për rezultat sa më pozitiv në këtë takim dhe asnjë herë me flamur të bardhë.
“Motivi është i njëjtë si për të gjitha ndeshjet që kemi zhvilluar deri më tash. Stinori pranveror ishte fantastik për ne, nuk shkojmë me ‘flamur të bardhë’ në Suharekë, na duhen pikët e mbijetesës. Mendoj që do të jemi më të relaksuar në këtë takim në krahasim me kundërshtarin, Ballkani ka nevojë vetëm për fitoren e titullit, kurse neve na konvenon edhe një barazim, por edhe në rast të disfatës, e kemi edhe një mundësi në ndeshjen e fundit për të siguruar barazhin”, tha fillimisht ai.
Më pas, Abazi komentoi edhe garën e madhe që kanë me Malishevën dhe skuadrën e Trepçës ’89, duke thënë se është i bindur që skuadra e tij e meriton më shumë qëndrimin në Superligë.
“Nuk është vetëm mendimi im, por besoj edhe gjykimi i opinionit sportiv që Ferizaj e meriton më shumë Superligën se dy skuadrat e tjera. Natyrisht, çdo president e lavdëron skuadrën e tij, por në bazë të paraqitjeve që kemi bërë dhe nivelit të organizimit që kemi, mendoj shumë se ne e meritojmë më shumë Superligën“, përfundoi Abazi.
Ky takim zhvillohet nesër me fillim nga ora 15:00.
/GazetaBlic Sport/


