Të shtunën e 11 tetorit, do të luhet superndeshja në mes të Serbisë dhe Shqipërisë.
Loja do të zhvillohet në Leskovc, në stadiumin “Duboçiqa”.
Aspekti i sigurisë, e ka ngritur alarmin tek autoritetet serbe, kjo edhe për shkak të pasojave me të cilat mund të përballet kombëtarja e tyre, nëse gjatë kësaj loje ose më pas ndodh ndonjë eksces.
Për këtë, ka folur edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Dragan Gjajiq.
Gjajiq tha se kanë bërë gjithçka që t’i parandalojnë tensionet.
“Do të ishte një katastrofë nëse do të ndodhte përsëri. Mendoj se do të përjashtoheshim nga futbolli evropian për një periudhë të gjatë kohore. Pikërisht për këtë arsye zgjodhëm Leskovcin dhe zvogëluam kapacitetin e stadiumit. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme për ne”, u shpreh ai.


