Presidenca e Kosovës ka gati një draft të lëndës për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit që ka dështuar në 29 tentime që nga seanca e parë e mbajtur më 15 prill.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazeta Blic, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Kupina tha se janë në pritje të aktgjykimit për lëndën e dërguar nga AAK-ja në Kushtetuese lidhur me procesin e votimit të fshehtë të kryeparlamnetarit, pasi sipas tij, pranimi i asaj lënde mund të t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë”, ka thënë Kupina për Gazeta Blic.
Po ashtu, ai ka shtuar se presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për takime të ndara me liderët e partive politike nëse ata e shohin të nevojshme për konsultime shtesë lidhur me seancën konstituive.
“Pas takimit të mbajtur më 15 maj 2025, i cili ishte takimi i parë konsultativ, Presidentja i ka ftuar sërish liderët e partive politike në një takim të dytë konsultativ, kësaj here për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale. Gjatë këtij takimi të dytë, Presidentja e ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj që, nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre. Ftesa e Presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike”, ka deklaruar Bekim Kupina./Gazeta Blic/