Zgjedhjet e rregullta parlamentare u mbajtën më 9 shkurt të këtij viti.
Por, edhe 4 muaj pas zgjedhjeve, vendi ende është pa formim të institucioneve të reja.
Ngërçi politik po vazhdon, derisa Kuvendi ka ngelur në konstituim, duke dështuar për 29 herë radhazi.
Deputetët kanë bërë betimin e tyre por konstituimi ka ngelur në pikën e tretë, atë për votimin e kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit, duke thënë se është gruaja më e votuar në zgjedhje.
Por, ajo nuk ka arritur t’i marrë votat që të zgjedhet në këtë pozitë, në 6 herë kur është propozuar.
Pas këtyre dështimeve, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputet i LVV-së, propozoi ndërrim të metodës së votimit, nga ai i hapur në të fshehtë.
Por, kundër kësaj dolën partitë ish opozitare, të cilat thanë se është shkelje e rregullores mënyra e ndryshimit të votimit.
Nga VV thanë se duan votim të fshehtë pasi ka deputetë të partive të tjera që do të votonin pro Albulena Haxhiut, por që hapur nuk kanë guxim ta bëjnë për shkak të presionit të shefave të tyre.
Komisioni për votim të fshehtë merr herë 52, herë 53 e herë 55 vota, derisa seanca ndërpritet nga kryesuesi, për të vazhduar pas 48 orësh.
E gjithë seanca zgjat krejtësisht pak minuta, 3-4 minuta, derisa më pas deputetë të partive dalin dhe akuzojnë njëra tjetrën për bllokadë.
VV kërkon reflektim nga opozita siç i quan partitë ish opozitare, e këto të fundit thonë se VV ka bllokuar Kuvendin, derisa nuk i ka votat as për qeveri.
E për këtë të fundit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se opozita mund ta testojë VV-në nëse i ka ose jo numrat për qeveri, duke ua votuar Haxhiun për kryetare të Kuvendit dhe për të vazhduar me qeverinë.
Megjithatë, kriza po vazhdon.
Deputetët hyjnë me vonesë e dalin për pak minuta nga Kuvendi, derisa pagat iu dalin.
Megjithë propozimet nga parti si PDK e AAK që të ndryshohet emri i kandidatit për kryetar të Kuvendit, VV insiston në Albulena Haxhiun, si e duhura për këtë pozitë.
Por, këtë post e synon dhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj, i cili ka pasur bisedime për koalicion me Kurtin, por që nuk janë pajtuar që t’ia japë këtë post.
Kurti ka deklaruar se një post i tillë s’mund t’i jepet një partie me vetëm 3 deputetë.
Seanca e radhës do të mbahet nesër (11 qershor), derisa nuk dihet se deri kur do të vazhdojë ky “serial” që çdo episod e ka të njëjtë./Gazeta Blic/