Sporti

Arbër Loxha komenton dy ndeshjet e ‘zjarrta’ që zhvillohen në Ligën e Kampionëve, këto janë skuadrat favorite sipas tij

04/11/2023 18:54
nga:Mergim Rreci

Komentatori i njohur kosovar, Arbër Loxha ka komentuar dy ndeshjet e mbrëmjes së sontme në Ligën e Kampionëve.

Manchester City – Bayern Munich dhe Benfica – Inter, janë dy ndeshjet e ‘zjarrta’ çerekfinaliste që do të zhvillohen sonte në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube.

Loxha ka vite të tëra që është i angazhuar me ndeshjet e këtij kompeticioni, si me komentim ashtu edhe me analizat e tij të detajuara.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai tha se e sheh për një dozë më favorite skuadrën e Benficas ndaj Interit, por që pret një ndeshje të rivalizuar me dy skuadrave që kanë pothuajse një qasje të njëjtë ndaj lojës.

“Kam përshtypjen se si Interi ashtu edhe Benfica donin të shmangnin njëri-tjetrin në këtë fazë, pasi të dy kanë të njëjtën qasje ndaj lojës, por kuptohet me filozofi të ndryshme të saj, por qasja ndaj lojës duket e njëjtë. Të dyja skuadrat dolën nga grupe shumë, shumë të vështira, por kishin diçka punë më të lehtë në të tetën e finales. Interi është në krizë rezultatesh dhe sezoni duket se po i’u iken nga dora Nerazzurrëve. Më është krijuar opinioni se për Interin është ‘treni i fundit’ që ta shpëtojë sezonin futbollistik të këtij viti“, tha fillimisht Loxha.

“Para kësaj ndeshje, Benfica kishte qenë në një ecuri mbresëlënëse, me 8 fitore radhazi deri sa u ndal nga Porto 3 ditë më parë, ndonëse titulli kampion duket se këtë vit do të jetë në duart e kryeqytetasve portugez. Një nga ndeshjet më të vështira për të parë njërën apo tjetrën si favorit. Benfikës i jap një dozë përparësie, sepse janë në formë më të mirë se italianët dhe këtë vit ia dolën të luanin shumë mirë kundër skuadrave të mëdha“, vazhdoi ai.

Më pas, komentatori kosovar komentoi ndeshjen tjetër që do të zhvillohet sonte, atë mes Manchester Cityt dhe Bayern Munich, duke thënë se është një duel i dy skuadrave gjigante të futbollit modern.

Loxha i dha pak më shumë element të favoritit skuadrës angleze, duke u bazuar edhe tek fakti se Bayern Munich ndryshoi trajnerin vetëm 3 javë më parë.

“Absolutisht, është një duel mes dy skuadrave gjigante të futbollit modern. Shkarkimi i Naglesmann 3 javë më parë nga bordi i Bayernit ishte befasues dhe kjo më bën të besoj se ky veprim do t’i përshtatet Manchester Cityt. Skuadra e drejtuar nga Guardiola është në top, top formë. Në 8 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ata i kanë fituar të gjitha, madje kanë shënuar 28 gola. Ndërkohë, Bayerni është tashmë në një fazë ku trajneri fillon të prezantojë ide të reja për lojën dhe interpretimin e saj dhe përshtatshmërinë e tyre me lojtarët ose për të arritur nivelin që të jetë kompakt, do të duhet pak kohë.
Por duke marrë parasysh që bavarezët kanë një fond të mrekullueshëm lojtarësh dhe numri i atyre me përvojë dhe cilësia është i jashtëzakonshëm, nivelizon idenë se kush mund të kualifikohet nga kjo përballje. Por këtë vit unë e shoh Manchester Cityn si favorit për të fituar të gjithë UCL, kështu që do ta favorizoja edhe për këtë duel skuadrën angleze“, përfundoi Loxha.

Kujtojmë se ndeshjet kthyese zhvillohen me datë 18 prill.

/GazetaBlic Sport/