Sporti

Portieri legjendar i kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj: Sylvinho është çelësi i suksesit, nëse mposhtim Çekinë bëjmë hap të madh për kualifikim në Europian

10/11/2023 17:18
nga:L J

Ish portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Arian Beqaj ka komentuar super ndeshjen që do të zhvillohet nesër mes Shqipërisë dhe Çekisë.

Beqaj e mbrojti portën e kombëtares për vite me radhë, duke qenë një emër i paharrueshëm për të gjithë tifozët kuq e zi, shkruan GazetaBlic Sport.

Në një prononcim ekskluziv, Beqaj tha se është optimist për rezultat pozitiv për mënyrën se si po luan tashmë kombëtarja, por natyrisht se ka një kundërshtar shumë të vështirë.

“Është një ndeshje e rëndësishme, Shqipëria ka përballë një kundërshtarë shumë të fortë – sidomos nga ana fizike, pa lënë anash edhe cilësitë teknike që kanë. Mirëpo me paraqitjet dhe identitetin që kanë treguar përpara, me mënyrën se si po i qasen ndeshjeve ekipi (Shqipëria), na bënë të jemi optimist për një rezultat pozitiv”, tha fillimisht Arjan Beqja për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas, Beqaj u deklarua edhe për rolin e madh që ka trajneri Sylvinho në këtë sukses, duke e vlerësuar atë jashtëzakonisht shumë.

“Patjetër që trajneri është shumë i rëndësishëm në ecurinë e ekipit, po ta shohim, grupi i futbollistëve që trajneri ka në dispozicion është pothuajse i njëjti me atë që ka në dispozicion që edhe trajnerët tjerë kanë pasur në vitet e fundit me pak ndryshime, ajo që është e rëndësishme me trajnerin Sylvinho është që përveç cilësive që ka si trajner, ai ka bë një menaxhim shumë të mirë të grupit, ka dhënë ndjesinë që secili është i rëndësishëm për ekipin, prandaj kemi një figurë që shohim se çdo futbollistë që futet në fushë jep maksimumin dhe atë që dua të theksoj është se ka menaxhur në mënyrë fantastike situatën, ka krijuar frymë pozitive brenda dhe jashtë skuadrës, për mendimin tim është çelësi i çdo suksesit”, tha tutje Beqja.

Në fund, Beqaj komentoi edhe ndikimin e madh që kanë tifozët në suksesin e arritur, ku tha se ata gjithmonë kanë pjesën e vet në suksesin dhe ecurinë e një ekipi.

“Është i kuptueshëm entuziazmi i tifozëve, vet ekipi i ka dhënë këtë të drejtë atyre, që të jenë optimist për ecurinë e kombëtares. Tifozët gjithmonë kanë pjesën e vet në suksesin dhe ecurinë e një ekipi, mirëpo ndeshjen e nesërme, futbollistët janë ata që zbresin në fushë dhe kjo ka rëndë, pra të jenë të përqëndruar në detyrën e tyre.

“Shpresojë dhe besojë tek fitorja e ekipit, një fitore në ndeshjen e nesërme me Çekinë, është hap i madh drejt Europianit”, përfundoi Beqaj.

/GazetaBlic Sport