Sporti

Politika e transferimeve në Superligë, Begolli: Nuk ka planprogram, transferohen lojtarë – por s’dihet se çfarë i duhen ata klubeve!

12/06/2021 12:43
nga:Lorik J

Një temë mjaft e përfolur në futbollin kosovar është padyshim mënyra e transferimeve të lojtarëve në merkaton e verës dhe të dimrit.

Në kohët e fundit, klubet kosovare kanë filluar të shpenzojnë jo pak në përforcimin e ekipit, duke transferuar edhe lojtarë me paga stratosferike, por edhe lojtarë me eksperiencë dhe me moshë, shkruan GazetaBlic Sport.

Por, jo të gjithë lojtarët me eksperiencë po arrijnë t’i dhurojnë diçka futbollit kosovar, duke u larguar nga klubet përkatëse pas një afati të shkurtët kohor.

Rasti i fundit është tek FC Prishtina, kur klubi transferoi dyshen me eksperiencë të madhe Kristi Vangjeli dhe Besart Berisha në merkaton e verës, por para pak ditësh zyrtarizuan largimet e tyre.

Në lidhje me politikën e transferimeve tek klubet kosovar, Granit Begolli, ish futbollist e drejtor sportiv tek Prishtina, aktualisht analist – thotë se në futbollin vendor nuk ka strategji në këtë aspekt.

“Në Kosovë është një praktik që ndoshta nuk i ngjan profesionalizmit sa i perket politikës së klubeve rreth transferimeve të lojtarëve, ku transferohet lojtari për afat 1 vjeçar pa planifikim se çka mund t’i shërbejë klubit, nëse veç ka dështu atë sezon klubi largon dhe merr një tjetër”, tha fillimisht Granit Begolli për ‘GazetaBlic Sport’.

Begolli thotë se klubet po transferojnë shumë lojtarë për një merkato dhe kjo po ndikon që shumica prej tyre edhe të dalin dështime.

“Nëse marrim shembull klubet e organizuara mirë në Ballkan se mos të flasim për top ligat evropiane, çdo klub ka një strategji ku planifikohet një projekt 3 ose 5 vjeçar që të arrihet të fitohet ndonjë trofe ose klubi dëshiron të largojë futbollistë, e të përiftoj nga ta. E në Kosovë mendohet vetëm të perfundohet sezoni, e secili klub në çdo afat kalimtar transferon prej 8-12 futbolllistë, e më pas deshtimi është tek shumica e tyre”, përfundoi Begolli.

/GazetaBlic Sport