Lajme

Policia njofton se ka arrestuar një shtetas serb për krime lufte ndaj popullatës civile

03/04/2024 17:48
nga:Lorik J

Policia e Kosovës para pak çastesh ka njoftuar se ka arrestuar një person për krime lufte ndaj popullatës civile.

Në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale citohet se personi i arrestuar është i nacionalitetit serb, përcjell GazetaBlic.

70 vjeçari, Z.N u arrestua sot në Mitrovicën e Veriut si i dyshuar për veprën penale ’Krimet e luftës kundër popullatës civile” dhe dhunë seksuale.

Ja njoftimi:

“KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA PROKURORIA SPECIALE DHE POLICIA E KOSOVËS

Arrestohet një person për krime lufte ndaj popullatës civile
Prishtinë, 04 Mars 2024
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar një person të nacionalitetit serb, për veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullatës civile”.
I dyshuari Ž.N, (1954) është arrestuar sot me datë 04/03/2024 rreth orës 16:00 në Mitrovicën e veriut. I lartcekuri është i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile – Dhunë seksuale‘’ të kryer gjatë vitit 1999 në Komunën e Vushtrrisë.
I njëjti është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, dhe me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, është dërguar në ndalim për 48 orë”, shkruhet në komunikatë.

/GazetaBlic