Lajme

Polemikat Qosja-Kadare, Gorani: Të dy e kishin mirë në mënyrën e tyre

04/24/2026 22:57
nga:Sh R

Opinionisti Dukagjin Gorani, në emisionin Rubikon, kur po flitet për figurën e Rexhep Qosjes, ka deklaruar se si Qosja ashtu edhe Ismail Kadare kanë pasur qasje të ndryshme, por të vlefshme, në raport me identitetin shqiptar.

“Mendoj që të dy ata [Qosja e Kadare] e kanë pasur mirë në mënyrën e vet. Meqenëse një pjesë e popullatave shqiptare të asaj kohe ka qenë e ndikuar identitarisht nga qytetërimi perëndimor. Një pjesë tjetër e popullatave shqiptare hala të paformuara si komb ka qenë patjetër e ndikuar prej Perandorisë Osmane”, tha ai.

Gorani theksoi se, pavarësisht dallimeve, këta intelektualë ndajnë një pikë të përbashkët: rrënjët e identitetit shqiptar lidhen me idetë e iluminizmit.

“Sikur Qosja ashtu edhe Kadare edhe të tjerët, besoj që pajtohen në një send: që projekti i shqiptarizmës apo projekti i identitetit shqiptar, rrënjët e veta i ka saktësisht tek ideja e madhe e iluminizmit”, tha Gorani në Rubikon.

Duke u ndalur te letra e fundit e Qosjes, Gorani e cilësoi atë si një trajtesë përfundimtare dhe të sinqertë, në të cilën reflektohet mënyra e tij e të menduarit.

“Në letrën e tij, që unë e marr si trajtesën e tij përfundimtare e sinqertë, aty ti i sheh gjurmët e të menduarit të tij organik, e ajo është që Qosja e shfaqe veten si fëmijë i iluminizmit”, tha Gorani.