Sporti

Polemika te Napoli, Lukaku largohet drejt Belgjikës

05/13/2026 15:46
nga:Mergim Rreci

Sulmuesi belg Romelu Lukaku vazhdon të jetë në qendër të polemikave te SSC Napoli, pasi ka lënë edhe një herë Italinë për t’u rikthyer në Belgjikë, ndërsa e ardhmja e tij në klub duket gjithnjë e më e pasigurt.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Lukaku është larguar drejt Belgjikës për të vazhduar përgatitjet dhe rikuperimin fizik në qendrën stërvitore të kombëtares belge, në prag të Kupës së Botës 2026. Sulmuesi nuk pritet të rikthehet më te Napoli deri në fund të sezonit aktual, transmeton GazetaBlic Sport.

Marrëdhënia mes lojtarit dhe klubit është tensionuar prej muajsh. Që nga marsi, Lukaku kishte munguar në disa seanca stërvitore, ndërsa më herët kishte qëndruar në Antwerp pa autorizimin e klubit për të vazhduar rehabilitimin. Napoli reagoi duke e gjobitur financiarisht dhe duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si lojtari menaxhoi situatën.

Trajneri Antonio Conte thuhet se është ndier i zhgënjyer nga mungesa e komunikimit me sulmuesin belg, ndërsa drejtuesit e klubit tashmë po shqyrtojnë mundësinë e shitjes së tij gjatë merkatos verore. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Napoli dëshiron të shmangë konflikte të tjera me lojtarin, duke qenë se ai mbetet ende një aset i rëndësishëm financiar për klubin.

33-vjeçari ka kontratë me Napolin deri në verën e vitit 2027, por raportet e fundit sugjerojnë se aventura e tij në “Diego Armando Maradona” mund të përfundojë shumë më herët. Gjatë këtij sezoni, Lukaku është përballur me probleme fizike dhe ka pasur një rol më të kufizuar në skuadër.

/GazetaBlic Sport/