Njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi thotë se me pranimin e planit franko-gjerman, ka përfituar vetëm Serbia.
Kelmendi në një prononcim për GazetaBlic tha se, Kosova do të jetë e detyruar të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, teksa shtoi se vendi ynë po humb ndërkombtarisht.
“Kosova nuk del me planin franko-gjerman si shtet, por si një territor në Evropë, pa status dhe amorfe”, tha Kelmendi.
“Kosova humb ndërkombëtarisht dhe detyrohet të organizojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, çdo herë konfrontohet me pretendimet e shtetit serb, mbi Kosovën si krahinë jugore të Serbisë”, shtoi Kelmendi.
Kelmendi shtoi se ky plan në përgjithësi është dëm i madh për Kosovën, pasi që nuk po flitet për njohje reciproke, por për interesat serbe.
“Ky është dëm i madh që i bëhet Republikës së Kosovës. Me atë plan humb karakteri ndërkombëtar i subjektivitetit të vendit tonë. Pa bazën e planit, njohjen reciproke, nuk ka vlerë ndërkombëtare”, tha Kelmendi.


