Në vendimin për caktimin e fillimit të gjykimit ndaj Pjetër Shalës më 21 shkurt, bëhet e ditur se ky i fundit ka shprehur dëshirën për të bërë një deklaratë pa betim, në përputhje me Rregullën 142 (1) të Rregullores.
“Paneli udhëzon mbrojtjen të konfirmojë, deri të premten, më 10 shkurt 2023, nëse kjo do të ndodhë drejtpërdrejt, para ose pas deklaratës hapëse të mbrojtjes dhe nëse po, sa kohë do t’i duhet të akuzuarit”, thuhet në këtë vendim.
Tutje, sipas vendimit, nëse i akuzuari zgjedh të bëjë një deklaratë pa betim, trupi gjykues udhëzon mbrojtjen që të këshillojë të akuzuarin se nuk do të tolerohen deklaratat e natyrës politike, deklaratat që janë fyese për dëshmitarët, viktimat, ZPS-në, trupin gjykues ose Dhomat e Specializuara si institucion, deklaratat që nuk kanë lidhje me rastin, ose që zbulojnë informacion konfidencial të çfarëdo lloji
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi


