Opinion

Për Dragashin, me shkas!

11/18/2021 09:39
nga:Florian Dushi

Shkruan: Florian Dushi

Zhurmë pa asnjë bazë. Tentim për të përbaltur procesin zgjedhor në një komunë me insinuata e improvizime.

Zgjedhjet në Dragash nuk përbëjnë përjashtim, procesi zgjedhor për këtë komunë është i njëjtë, plotësisht i rregullt sikur në gjithë Kosovën.

Ajo çfarë po shohim në media, paraqitje të niveleve të ndryshme të një partie politike, duke kontestuar rregullsinë e procesit zgjedhor, veçanërisht procesin e votimit me postë për këtë komunë, është e pasaktë dhe e pambështetur.

Votuesit nga jashtë i janë nënshtruar procesit të paraparë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës në përputhje të plotë, madje duke iu nënshtruar procesit paraprak të verifikimit nga na a e KQZ-së, me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat e KQZ-së.

Janë regjistruar suksesshëm dhe pastaj është përpiluar, votuar dhe certifikuar lista përfundimtare e votuesve nga jashtë, pa asnjë vërejtje nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike në KQZ, unanimisht.

Një pjesë e tyre kanë votuar në raundin e parë. Sërish i janë nënshtruar procesit të verifikimit nga ana e KQZ-së. Votat e tyre janë numëruar dhe janë përfshirë, prap pa asnjë vërejtje nga askush, në rezultatin e raundit të parë të 17 tetorit në të gjitha komunat ashtu edhe në Komunën e Dragashit.

Së fundmi, 48 orë pas përfundimit të zgjedhjeve për raundin e dytë, kemi dëgjuar për herë të parë vërejtje lidhur me këtë proces, madje në mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesit e PDK-së kishin ndërtuar një tregim, nga këndvështrimi i tyre, dhe për “hesape” të tyre politike dhe elektorale lidhur me procesin e votimit nga jashtë për Komunën e Dragashit.

Madje provuan ta ndalin procesin e numërimit të këtyre votave, një proces i cili, ashtu siç u konfirmua gjatë asaj mbledhjeje të KQZ-së edhe nga vetë administrata e KQZ-së, ishte zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat e parapara ligjore dhe rregullat e KQZ-së.

Paradoksalisht, në mbledhjen e njëjtë të KQZ-së në të cilën disa nga kolegët kishin ngritur shqetësime lidhur me këto vota për Komunën e Dragashit, për çfarë më pas edhe janë ankuar, ata kanë votuar “pro” certifikimit, pa asnjë vërejtje, për rezultatin e zgjedhjeve për Asamblenë Komunale të Dragashit, rezultat ky i cili përfshinte edhe votat me postë të cilat vetëm në raundin e dytë po kontestoheshin.

Përfundimisht, ky proces është zhvilluar brenda afateve të përcaktuara dhe sipas procedurave ligjore. I është nënshtruar verifikimit dhe konfirmimit nga ana e KQZ-së më shumë se njëherë dhe në faza të ndryshme. Është shqyrtuar edhe nga ana e PZAP-it sipas një ankese të një partie për të njëjtën komunë, ankesë të cilën ky organ e kishte hedhur poshtë si të pabazuar. Nuk është kontestuar nga askush, eëas nga kontestuesit aktual, në asnjë fazë dhe as në raundin e parë.

Prandaj, kjo e bënë fitoren e LDK-së në këtë Komunë plotësisht të rregullt dhe të ligjshme, ndryshe nga ato çfarë kemi dëgjuar këto ditë për procesin zgjedhor në këtë komunë e që përbëjnë spekulime të sponzoruara partiake, pa asnjë bazë dhe vetëm në një fazë të zgjedhjeve lokale, vetëm në raundin e dytë!