Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.
“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.
Mustafa është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999.
“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”.
Ajo ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.
Për akuzën e torturës, krygjykatësja ka thënë se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese.
Ajo ka thënë se pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë nuk është shqyrtuar më tej.
“Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme, në mes të bajgave të bagëtive”.
“Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë”.
“Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta duke thënë, ‘ja uji’”.
Ajo ka thënë se të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli dhe janë djegur.
“Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”.
Ajo po ashtu ka thënë se vetë Mustafa ka urdhëruar vartësit e tij ta rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat.
Sipas saj, të ndaluarit janë keqtrajtuar edhe psiqikisht.
“Një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar zëra të njerëzve ‘duke bërë si qenë, mace’ dhe nuk kanë mundur të flinin”.
Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.
Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për këto krime.
Në një rast, ai e ka konsideruar gjykatën si “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa gjatë nisjes së gjykimit ndaj tij pranë Dhomave të Specializuara në Hagë më 15 shtator 2021.
LEXONI EDHE KËTË:
Gjykata Speciale kritikohet për mbyllje të seancave dhe redaktime të ashpra
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.


