I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha se qeveria britanike mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, transmeton RTV, raporton Gazeta Bliv.
Ai përkujtoi se Serbia ka tetë vjet që zhvillon negociatat për anëtarësim me BE-në, por me zbatimin e reformave për afrimin e saj me BE-në, marrëdhëniet e Beogradit me Prishtinën do të jenë kyçe.
Peach tha se Serbia është një nga vendet e pakta që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por ka mirëpritur faktin që Beogradi zyrtar iu bashkua dënimit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës në OKB.
I pyetur se a ka ardhur koha Nëse që Serbia të vendosë se në cilin drejtim do të shkojë, më afër Perëndimit apo Rusisë, i dërguari britanik thotë se është në Beograd “për të zgjedhur një pozicion”.
Ai theksoi se Britania nxitë të gjitha qeveritë e rajonit në rrugën euroatlantike dhe në rrugën drejt BE-së, sepse “ne mendojmë se ajo u jep shpresën më të mirë njerëzve në rajon për një të ardhme më të mirë, pa luftë”.
“Ne respektojmë nëse vendet e rajonit nuk duan të anëtarësohen në NATO, por ata që duan duhet ta kenë këtë mundësi”, tha Peach, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për anëtarësimin në BE.
Duke folur për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, Peach tha se ndonëse gjendja në këtë vend është shqetësuese, ajo është një çështje politike, e jo një krizë e sigurisë.
Ai shtoi se “lufta ruse në Ukrainë është një sfidë që nuk duhet të përhapet në Ballkan”.
Ai përshëndeti rritjen e numrit të ushtarëve të EUFOR-it në BiH nga 600 në 1.100 dhe tha se ky vendim ështënjë “demostrim i dukshëm i pranisë”.
“Situata në Bosnje dhe Hercegovinë është shqetësuese. Sigurisht, është një situatë politike, një çështje politike, jo një krizë sigurie. Ne duhet të punojmë së bashku për të parandaluar që kriza të thellohet,” tha Peach.
Si ish-komandant i Forcave Ajrore Britanike në radhët KFOR-it dhe ish-kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Peach u emërua i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit të kaluar.


