Lajme

PDK prezanton në kuvend rezolutë për ndërprerjen e grevës, s’ka kuorum

09/22/2022 18:01
nga:Y I

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka prezantuar një rezolutë, pas debatit parlamentar për grevën në Kuvend të Kosovës.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në afat prej 48 orëve nga miratimi i rezolutës të zhvillojë negociatat e nevojshme me BSPK-në për ndërprerjen e grevës dhe po ashtu t’i përfshijë BSPK-në në grupin punues për Projektligjin e pagave.

”Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që në afat prej 48 orëve nga miratimi i kësaj rezolute të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së, apo personat e autorizuar deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës. Kërkojmë në afat prej pesë ditëve nga miratimi i kësaj rezolute të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar nga BSPK-janë grupin punues për hartimin e pagave, para miratimit të tij në qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave”, tha ai.

Megjithatë e njëjta nuk u vendos në votim për shkak të mungesës së deputetëve.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mbylli punimet e seancës së sotme dhe bëri të ditur se e njëjta do të vazhdojë nesër në orën 10:00.