Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, para pak dite tha se deri më tani 151 mjekë i kanë kërkuar dokumentet e nevojshme të cilat iu duhen për të lidhë kontrata pune në shtete tjera apo oda të mjekëve në shtete perëndimore.
E, për këtë partitë opozitare kritikojnë qasjen e Qeverisë Kurti karshi kësaj sindikate.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu thotë se janë 147 mjek që kanë ikë nga Kosova gjatë këtij viti.

Haxhiu në një prononcim për GazetaBlic thekson se, nuk pret nga Qeveria të merrë ndonjë hap për të parandaluar një gjë të tillë.
“Nuk është paralajmërim, por janë ikje reale që po ndodhin. Janë 147 mjek që kanë ikë këtë vit nga Kosova, deri në nëntor 2023”, tha Haxhiu.
“Prej një Qeverie që nuk ka arritë një strategji të shëndetësisë ta miratojë për tri vite, nuk pres që ndërmerr ndonjë masë për ta parandaluar këtë dukuri të ikjes së mjekëve”, tha Haxhiu.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një prononcim për GazetaBlic theksoi se ky tashmë nuk është paralajmërim, por është fakt.

Ai shtoi se veç vitin e kaluar 200 mjekë e kanë lëshuar Kosovën.
“Nuk është paralajmëruar veç, po deri në muajin që po flasin këta janë larguar. Mjek të përgjithshëm, mjek në specializim dhe mjek specialistë fatkeqsisht. Ndërsa vitin e kaluar më shumë se 200 poashtu e kanë lëshuar Kosovën”, tha Zemaj.
Tutje Zemaj shtoi se Qeveria e Albin Kurtit nuk e ka prioritet shëndetësinë.
“Shëndetësia është prioritet zero i kësaj qeverie, dështim nuk janë vetëm resurset humane ku kjo ndodhë në mungesë të kushteve të punës, shkollimit të dobët dhe përkrahjes financiare, por kemi me pak ose fare progres në investime kapitale, furnizim me barna e shumë gjëra tjera”, tha Zemaj për GazetaBlic.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj thotë se Ministria e Shëndetësisë duhet të veprojë menjëherë për shkaqet e migrimit.

Dreshaj e tha këtë deklaratë duke u bazuar në paralajmërimin e fundit të Pleurat Sejdiut i cili theksoi se 151 mjekë janë gati për ta lëshuar vendin.
Dreshaj thotë se kjo situatë nuk është e mirë.
“Situatë jo e mirë. MSH duhet veproj urgjent bazuar në shkaqet e migrimit!”, tha Dreshaj për GazetaBlic.
/GazetaBlic/


