Lajme

‘Pasiguria në shkollat kosovare’- Njohësit e fushës e cilësojnë shqetësuese situatën momentale!

10/17/2024 18:44
nga:N K

Pasiguria në shkolla po vjen duke u rritur.

Fillimisht, këtë vit nxënësit kosovarë filluan në bazë të rrjetit social TikTok, që ta vetlëndojnë vetën, pra duke e sfiduar vetën me disa lojëra të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e tyre.

Raste të tilla u paraqtën në Fushë Kosovë, në Gjakovë e së fundmi edhe në Kamenicë.

Derisa, gjatë ditës së djeshme në Ferizaj, gjatë një kontrollimi nga ana e zyrtarëve policor dhe atyre me rroba civile kanë kontrulluar një autobus që qarkullon nga ky qytet në drejtim të fshatrave Doganaj- Greme dhe Gaçkë.

Pasagjerët e këtij autobusi ishin kryesisht të mbushur me nxënës, e që janë gjetur: një armë zjarri, dy thika dhe një ‘’Box hekuri’’.

Në lidhje me këtë rast, GazetaBlic ka kontaktuar me drejtorin e Arsimit në Komunën e Ferizajit, Afrim Llabjani.

Llabjani shprehet i shqetësues në lidhje me këtë rast që ka ndodhur në komunën ku ai vepron.

“Patjetër se është shqetësuese, e kam thënë dhe po e them në vazhdimësi kudo që kemi armë dhe çfarëdo mjeti tjetër tek gjeneratat e tjera, për neve si shoqëri duhet me qenë shqetësuese e sidomos për Drejtori të Arsimit dhe në nivel të Republikës po flas, nëse këto mjete ju përkasin nxënësve sidomos. Po besoj, ne si në Ferizaj kemi arrit me bë një siguri më të madhe sepse e kemi edhe sigurimin fizik nëpër shkolla, diku 13 shkolla të Komunës së Ferizajit, kryesitsht të qytetit”, u shpreh ai.

Sipas tij, në kohën kur zbulohen se nxënësit e cilës shkollë i përkasin, si komunë do të marrin masa të menjëhershme.

“Në bazë të informatave që kam, Policia e Kosovës ka intervistuar dikë dje, por i kanë çuar në procedurë të rregullt kështu. Megjithatë, momentin kur marrim ndonjë informacion prej Policisë në lidhje me këtë çështje edhe i identifikojmë se cilës shkollë i takojnë, pa dyshim se ne i kemi rregulloret e brendshme,i kemi udhëzimet administrative të cilat do të marrim masa ndaj atyre nxënësve”, theksoi ai.

Gazeta Blic ka siguruar statistika nga Policia e Kosovës se si qëndron situata me numrin e incidenteve në shkollat kosovare gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti.

Gjithsej janë rreth 400 incideteve në shkolla dhe përreth tyre.

“Rreth numrit të rasteve që kanë ndodhur në shkolla dhe përreth tyre, gjatë periudhës janar-shtator 2024 janë shënuar gjithsej 396 incidente në shkolla dhe përreth tyre, në mesin e këtyre rasteve janë 10 raste posedim i armës së zjarrit dhe 51 raste posedim i armës së ftohtë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në lidhje me këtë çështje shqetësues foli edhe njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj.

Rexhaj në një prononcim dhënë për GazetaBlic, thekson se raste të tilla tregojnë se problemet e sfidave në arsim ka pësuar transformim që i bën shumë më të vështira për t’u përballuar.

“Rastet tejet shqetësuese të këtyre ditëve, qoftë lidhur me vetlëndimet si rezultat i rrjeteve sociale dhe krimit kibernetik, apo prania e armëve në shkolla tregojnë se autoritetet dhe institucionet arsimore duhet të merren më serizosht me përgjegjësite e veta. Këto raste tregojnë se arsimi nuk është vetëm çështje e organizimit të mësimit por edhe përkujdesje për mirëqenien e tyre fizike e psikike! Kjo përfshinë edhe përkrahjen e familjes në përballjen me problemet serioze të cilat i kërcenojnë fëmijet e tyre – nxënësit tanë. Kjo tregon se natyra e problemeve e sfidave në arsim ka pësuar transformim qe i bënë shumë më të vështira për tu përballuar”, u shpreh ai.

Tutje, ai kërkon që të ketë një mobilizim sistematik në teknologji, në edukim, gjithashtu edhe tek Policia e Kosovës.

“Familja vet nuk mund të përballet me krimin kibernetik as me kërcenimet nga rreziqet rreth shkollës si drogat e substancat e tjera. As komunat nuk e kanë këtë kapacitet. Kërkohet mobilizim sistematik i eksperteve në teknologjitë e reja, të eksperteve të edukimit, të eksperteve të sigurisë kibernetike, të policisë e të autoriteteve arsimore për të ndihmuar familjet e shkollat në këtë drejtim. Edhe shkollat duhet të krijojnë ekipet e veta, ti aftësojnë ato dhe të veprojnë në bashkëpunim me prindërit, organizatat joqeveritare dhe me organizatat e nxënësve”, tha ndër të tjera, Rexhaj.

Sociologu Labinot Kunushevci thotë se pasiguria nuk qëndron vetëm në katër muret e shkollës, por që sipas tij edukimi indiferent në familje, që manifestohet me qasje të pakontrolluar të mediave prodhon pasoja afatgjate tek të rinjët duke i sforcuar ata në profilin e “të fortit të shkollës apo lagjes”.

“Problemi i pasigurisë nuk është i izoluar vetëm brenda mureve të shkollës. Delikuenca vjen në shprehje që nga edukimi indiferent në familje, që manifestohet me qasje të pakontrolluar të mediave, veçmas rrjeteve sociale, me krijimin e raporteve të brishta shoqërore, me formimin e zbehtë të një personaliteti të zhveshur nga vlerat morale dhe me një sistem që e ndanë edukimin kulturor nga arsimi. Kjo sigurisht që prodhon pasoja afatgjate pasi u krijon të rinjve iluzione mbi jetën, duke u sforcuar në profilin e “të fortit të shkollës apo lagjes””, përfundoi ai në një përgjigje dhënë për GazetaBlic.

Ndër të tjera, GazetaBlic ka dërguar pyetje tek Policia e Kosovës, se a ka ndonjë njësit që ekskulizivisht angazhohen për shkolla, dhe se çfarë janë duke bërë konkretisht në lidhje me këto çështje, deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje.