Lajme

Pasaportë ruse në këmbim të shërbimit ushtarak

09/23/2022 21:52
nga:Y I

Migrantët e Azisë Qendrore janë mësuar të bëjnë punët e ndyra të Moskës.

Çdo vit, qindra mijëra qytetarë nga shtetet e rajonit udhëtojnë për në kryeqytetin rus dhe qytete të tjera të mëdha për të punuar si pastrues rrugësh, pastrues, punëtorë në ndërtimtari dhe në sektorë të tjerë të shërbimeve – punë që rusët shpesh nuk duan t’i punojnë.

Por, tani mund të hapet edhe mundësia e futjes së tyre në frontet e luftës në Ukrainë, pasi Duma shtetërore ka miratuar amendamente ligjore që ofrojnë “thjeshtim” të rrugës deri te marrja e shtetësisë ruse në këmbim të shërbimit ushtarak njëvjeçar “në forcat e armatosura të Federatës Ruse, në forcat e tjera apo formacionet ushtarake”.

Konteksti i këtyre ndryshimeve ligjore për marrjen e shtetësisë ruse erdhi një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, më 21 shtator njoftoi për mobilizimin ushtarak në mënyrë që të forcohet pushtimi i paprovokuar i Ukrainës dhe pasi forcat ruse pësuan humbje në fushëbetejë.

Njoftimi i Putinit dhe dekreti presidencial, që kishte një formulim të paqartë, shkaktuan panik, duke rritur kërkesën për bileta avioni njëdrejtimëshe nga Rusia. Kërkesa të tilla për t’u larguar nga Rusia nuk janë parë që nga javët e para të luftës.

Më 21 shtator, më shumëse 1.300 persona u arrestuan në protestat në Moskë, Shën Petersburg dhe në mbi 30 qytete të tjera. Shumë prej protestuesve mbanin pankarta me ngjyra të flamurit të Ukrainës dhe brohoritnin “Jo mobilizimit” dhe “Rusia pa Putinin”.

Në platformat online, mobilizimit qytetarët po i referohen me emrin “mogilizatsia”, një lojë fjalësh, që në gjuhën ruse nënkupton varr.

Dhe, padyshim Rusia po shikon kah migrantët për planet e saj për të mbushur radhët.

Në përditësimin e parë zyrtar të vdekjes së personelit ushtarak rus në Ukrainë që nga muaji mars, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha gjatë një interviste televizive se 5.937 ushtarë kanë vdekur në luftë.

Kjo shifër është shumë më e ulët krahasuar me vlerësimet e qeverive perëndimore, që thonë se shifra është midis 15.000 dhe 30.000.

Rekrutimi është jopopullor në qytetet sikurse Moska dhe nuk është befasi që shumica e ushtarëve të vrarë në luftime vijnë nga ato pjesë, që hulumtuesi i migrimit, Yan Matusevich i quan “rajonet më të largëta dhe më të varfra të vendit, shumica prej të cilave janë të banuara nga minoritetet etnike joruse”.

Kthimi i syve kah migrantët duhet të shihet si pjesë e këtij trendi, tha Matusevivh për Radion Evropa e Lirë. Migrantët, sipas tij, i ofrojnë mundësinë Rusisë “të rrisë numrat e rekrutimit në qytetet e mëdha duke mos rekrutuar rusët e pasur nga [Moska dhe Shën Petersburgu]”, të cilët, sipas dekretit, nuk mbrohen nga mobilizimi.

Qeverisja në Moskë, e udhëhequr nga kryetari Sergei Sobyanin, nuk ka humbur kohë për të paraqitur planin për rekrutim.

Në një postim në ueb-faqen personale, Sobayanin tha më 20 shtator se “infrastruktura e plotë për të asistuar Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë në përfshirjen e shtetasve të huaj në shërbimin ushtarak” do të jetë e qasshme në qendrën për migrim në Sakarovo.

Putin dhe Shoigu kanë thënë se për mobilizim do të thirren rezervistët që kanë përvojë ushtarake, por këto deklarata nuk kanë ulur shqetësimet se burrat me pak trajnime dhe përgatitje do të dërgohen në frontet e luftës.

Kremlini vazhdimisht ka thënë se nuk do të dislokojë rekrutë në Ukrainë, por ka pasur disa raste të konfirmuara kur rekrutët janë dërguar në fushëbetejë.

Azamat Adylgaziev, biznesmen dhe lider i diasporës së migrantëve nga Kirgizia në Rusi, i tha REL-it se gatishmëria në mesin e bashkëkombësve të tij “është paska me panik, veçmas në mesin e djemve të rinj”, teksa disa prej tyre veçse kanë nisur të largohen nga vendi.

Shumica e atyre që po largohen janë kirgizë, të cilët veçse janë të pajisur me shtetësi ruse, shtoi ai.

Për personat që nuk kanë shtetësi, tha ai, pasaporta ruse në këmbim të shërbimit ushtarak mund të jetë një ofertë tunduese në vend që të “sorollaten për dy vjet” për të marrë shtetësinë, që është një proces i vështirë.

“Sa do t’i përgjigjen mobilizimit? Është e pamundur të thuhet derisa të shohim radhët në qendrën Sakarovo. Por, ka interesim dhe shumë njerëz nuk i kuptojnë pasojat”, tha Adylgaziev.

Kërcënime me burgim
Shumica e migrantëve nga Azia Qendrore janë nga tri shtete: Kirgizia, Taxhikistani dhe Uzbekistani.

Edhe nga shtetet e tjera të rajonit ka migrantë në Rusi, por në numër më të vogël. Por, këto shtete janë më pak të varura nga remitencat që sigurojnë nga Rusia. Të gjitha këto shtete dihet se janë besnike ndaj Rusisë, por ndoshta po tregohen të kujdesshme për shkak të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë – aleates më të ngushtë të Moskës – dhe të gjitha këto shtete kanë paralajmëruar qytetarët e tyre se i pret dënimi me burg nëse ata shkelin ligjet dhe marrin pjesë në luftëra të huaja.

Prokuroria e Shtetit në Uzbekistan tha më 22 shtator se pjesëmarrja në luftëra të huaja është vepër që dënohet nga pesë deri në dhjetë vjet burgim.

Sipas të dhënave zyrtare ruse, gjysma e qytetarëve që arritën në Rusi për punë në gjysmën e dytë të këtij viti, apo 1.54 milion persona, ishin shtetas të Uzbekistanit.

Ambasada e Kirgizisë në Moskë po të njëjtën ditë deklaroi se pjesëmarrja në luftëra të huaja është vepër penale e dënueshme deri me “dhjetë vjet burgim” dhe u kërkoi qytetarëve të saj që të raportonin pranë këtij misioni diplomatik për çdo përpjekje për rekrutim.

“Ikni menjëherë”
Përmes një postimi në Facebook, ish-kryeministri kirgiz, Feliks Kulov, i bëri thirrje Qeverisë së tij që të ndërmarrë veprime për të ndihmuar, sipas tij, 500.000 “bashkëkombësit” me etni kirgize, që veçse kanë pasaporta ruse dhe rrjedhimisht, mund të jenë subjekt i mobilizimit.

“Thirrja e këtyre njerëzve për të marrë pjesë në shërbim ushtarak do të ketë ndikim negativ, në mos tragjik, për familjarët e tyre, pasi ata varen nga ta”, shkroi Kulov.

Përderisa Kirgizia nuk njeh zyrtarisht të drejtën e dyshtetësisë me Rusinë, në praktikë, shumë shtetas të saj lejohen që të mbajnë pasaportat e të dyja shteteve.

Taxhikistani lëshoi një deklaratë më 22 shtator duke iu referuar vetëm “përgjegjësive kriminale” të qytetarëve që marrin pjesë në aktivitete ushtarake jashtë vendit.

Nuk është e qartë se sa qytetarë të shteteve të Azisë Qendrore veçse kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë si mercenarë.

Oleksandr Shtupun, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, më 10 shtator akuzoi Moskën për rekrutimin e ushtarëve “nga personeli ushtarak në pension në Republikën Kirgize”, duke thënë se rekrutimi po bëhej “përmes grupeve në rrjetet sociale”.
Po të njëjtën ditë, korrespondenti i luftës në Ukrainë, Yuri Butusov, postoi një video ku shfaqeshin ushtarë të kapur, që pretendoi se ishin nga Uzbekistani.

Shërbimi taxhik dhe ai kirgiz i REL-it kanë raportuar për disa qytetarë të këtyre shteteve që kanë vdekur në Ukrainë duke luftuar për Rusinë. Po ashtu, raportohet se kompania private ushtarake, Wagner po rekruton shtetas nga rajoni. Wagner është e lidhur me Kremlinin.

Skepticizmi rreth premtimit të Moskës se mobilizimi do të jetë i pjesshëm është i lidhur me disa faktorë, jo vetëm për faktin se forcat ukrainase kanë shënuar fitore së fundmi, duke rimarrë disa territore, kontrollin e të cilave e kishte humbur në fillim të luftës.

Forca e kundërofensivës së fundit duket se ka shtyrë Putinin të shpallë mobilizimin. Po ashtu, përparimet ukrainase hedhin dyshime mbi aftësinë e Rusisë për të arritur atë që shumëkush e konsideron një fitore të shpejtë në luftën e përgjakshme.

Matusevich tha se Moska është e dëshpëruar sa i përket mungesës së ushtarëve dhe rekrutimi i luftëtarëve të huaj mund të shkojë përtej bazave vullnetare që i ka përmendur Sobyanin.

“Jam i shqetësuar se autoritetet ruse do të tentojnë të shantazhojnë personat që aktualisht janë në qendrat e ndalimit të migrantëve, për t’i detyruar që të shërbejnë në ushtri. Autoritetet ruse, po ashtu, mund t’i kërcënojnë qytetarët e natyralizuar rusë me heqjen e shtetësisë së tyre nëse refuzojnë të ‘dalin vullnetarë’ për të luftuar në Ukrainë”, tha ai.

Valentina Chupik, migrante nga Uzbekistani, dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut, vitin e kaluar u ndalua që të hynte në Rusi. Edhe ajo shprehu shqetësimet se Qeveria mund të ketë një qasje të tillë. Përmes një postimi në Facebook ajo tha se migrantët mund të përballen me zgjedhjen midis asaj që të bëhen “qitës të topave” apo “skllav” për përpjekjet e luftës.

“Të dashur migrantë që keni familjarë rusë ose që keni dikë që është pajisur me shtetësi ruse, ikni menjëherë! Ndërkaq ju të tjerëve, po ashtu u bëj thirrje që të ikni”, shkroi ajo.