Sporti

Pas largimit të Messit, PSG humb dy milionë ‘followers’

06/06/2023 08:18
nga:E K

Mbështetja për kampionin francez PSG ka rënë ndjeshëm në mediat sociale gjatë ditëve të fundit. PSG humbi më shumë se dy milionë ndjekës në Instagram pavarësisht se fitoi titullin e ligës franceze. Por duket se njoftimi për largimin e Lionel Messi ka goditur më shumë ish ndjekësit e klubit.

Ndërsa Messi vendos nëse do të vazhdojë karrierën në Barcelonë, Arabinë Saudite apo ndonjë vend të tretë, në Paris e dinë se me të kanë humbur jo vetëm një lojtar të madh, por edhe një potencial marketingu që do të jetë shumë e vështirë për t’u kompensuar.

Parisienët kanë sjellë deri më tani dy lojtarë të rinj, Manuel Ugarte dhe Marco Asensio, por ata nuk mund të tërheqin aq shumë tifozë sa Messi.

Argjentinasi nuk e ka kaluar kohën më të mirë në Paris, sidomos në fund të këtij sezoni. Tifozët i fishkëllenin dhe e ofendonin nga tribuna edhe kur ai dhe shokët e tij po merrnin çmimet për titullin e kampionit. Tani Messi dhe babai i tij po punojnë për ta rikthyer në Barcelonë, ku tifozët me siguri nuk do ta sulmojnë atë.

/GazetaBlic Sport