Lajme

Paralajmërojnë ekspertët e sigurisë: Situata në Veri pritet të tensionohet, po nxitet nga Vuçiqi!

10/26/2022 13:25
nga:Y I

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi dje se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.

Përgjigja e kryeministrit erdhi pas kërkesës së Emisarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që afati të shtyhej edhe për 10 muaj të tjerë.

Mosshtyrja e afatit pritet të sjellë tensionim të situatës në veri të vendit, sipas ekspertëve të sigurisë.

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, në një prononcim për “Gazeta Blic” deklaroi se nëse marrëveshja për targat nuk shtyhet, tensionet janë në prag.

Ibishi theksoi se këto tensione po nxiten edhe nga vetë presidenti Vuçiq.

“Nëse nuk shtyhet marrëveshja për targat, atëherë tensionet janë në prag. Vetë edhe kërcënimet e Vuçiqit janë thirrje për një pa dëgjueshmëri qytetare, ekstremistët serb ai i vendos në veprim. Fillojnë pastaj prej bllokimit të rrugëve, protestave, krejt pastaj kjo sjell tensione si me angazhim të forcave si me prezenca të tjera. Në këto raste kur tensionohet situata, mund të ketë edhe incidente që realisht mund të jenë rrezik edhe për sigurinë. Kur s’ka marrëveshje dhe kur dërgohen mesazhe nga presidenti Vuçiq që i mbështet serbët në pa dëgjueshmëri qytetare, atëherë është mëse e pritur se do të ketë tensione. Kanë mbetur edhe pak ditë kur përfundon, afati pra me 31 dhe situata do të jetë jo e mirë në aspektin e rrjedhave të sigurisë”, deklaroi Ibishi për “Gazeta Blic”


Nuredin Ibishi, Ekspert sigurie

Edhe drejtori i i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, tha për “Gazeta Blic” se pritet të ketë tensione në Veri.

Sheholli tha se nga informacionet që ata posedojnë nuk pritet të ketë barrikada si me 31 korrik.

“Ende nuk kemi vendim të shkruar përveç deklaratës së zotit Kurti e cila është e vërtetë që thotë se ligji duhet të zbatohet. Në këtë sferë të kësaj gjendje e cila po na përsëritet nga 31 korriku përsëri, motivi i serbëve të Veriut po të ishte që duhet të ndërroheshin tabelat ajo do të bëhej  për 60 ditë por motivi i tyre nuk është ndërrimi i tabelave por destabilizimi i Veriut përmes padëgjueshmërisë qytetare dhe përmes bojkotit që e kanë thënë disa herë që kjo do jete forma e veprimit. Në ndryshim nga 31 korriku që patën vendos barrikada, kësaj radhe nga informacionet që ne posedojmë si Zyrë, është që barrikadat nuk do të vendosen se ka forca më të shtuara të KFOR-it por edhe të EULEX dhe besoj se nuk do të ketë barrikada të tyre. Serbët e Veriut po përdoren si “mish për top” nga Vuçiq dhe politika atje”, deklaroi Sheholli për “Gazeta Blic”

Fatmir Sheholli, Drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike

Përveç SHBA-ve edhe nga BE pati një kërkesë të njëjtë për shtyrjen e afatit për regjistrimin e targave.

Kështu deklaroi pak ditë më parë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Sipas Marrëveshjeve të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e duhura evropiane. Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime”.

“Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur”, ka thënë Stano, raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Kurti s’e përfillë kërkesën e Amerikës: S’do të ketë shtyrje të afatit për targat

Edhe BE-ja kërkon shtyrjen e vendimit për 10 muaj të marrëveshjes për targat