Lajme

Osmani sot pasdite përballë Vuçiqit në Këshillin e Sigurimit në OKB

04/22/2024 07:19
nga:G C

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot do ta përfaqësojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Në seancën e KSKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.

Presidentja po ashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

Prindon Sadriu, bashkëshorti i Presidentes Osmani, i ka ftuar qytetarët që të përgatiten për përballjen Osmani-Vuçiq në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Ai shkruan se presidentja Osmani përfaqëson demokracinë dhe lirinë ndërsa Vuçiq “mishëron autokracinë dhe përfaqëson një regjim gjenocidal”.

“Në orën 16:00 në KS të OKB-së, përgatituni për një përballje mes dy forcave dhe ideologjive të kundërta: Presidentes të Kosovës, që përfaqëson demokracinë dhe lirinë, kundrejt Presidentit të Serbisë që mishëron autokracinë dhe përfaqëson një regjim gjenocidal”, ka shkruar Sadriu.