Lajme

Osmani i reagon Ramës: Mandati i KFOR-it, vetëm si reagues i tretë – nuk bëhet fjalë për marrje të kompetencave

09/29/2023 19:22
nga:G B

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar për deklaratën e kryeministrit Edi Rama, se KFOR duhet të marrë veriun nën kontroll, raporton Gazeta Blic.

Ajo thotë se institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, krah policëve të Kosovës, në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste nga Serbia.

“Presidentja Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj. Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia”, tha për GazetaBlic, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

Ai shton se “Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.”

Sipas Kupinës, s’bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR.

“Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia”, tha Bekim Kupina për Gazeta Blic.

Rama, Kurtit: KFOR-i, garanci në çdo rast kërcënimi, jo forcë pushtuese