Flutura Kusari, juriste e së drejtës për media, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Presidentes Vjosa Osmani, duke e akuzuar atë për sjellje populliste dhe përpjekje për të censuruar në menyrë të paligjshme mediat, raporton GazetaBlic.
Në një prononcim për Gazeta Blic, juristja shprehet se ndalimi i raportimit gazetaresk, ende pa u publikuar i njejti, përbënë siç thotë ajo “ formën më të rëndë të censurës”, ndërsa konfiskimi i pajisjeve si telefoni dhe kamera, është një rrezik i madh për mbrojtjen e burimeve të informacionit.
“Këto metoda përdoren në shtete autoritare dhe presidentja po i përdorë ato si pjesë e garës politike që pritet t’i nënshtrohet në mars 2026,” tha Kusari, duke theksuar se këto veprime përbëjnë një precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes në vend.
Sipas Kusarit, Presidentja Osmani ka zgjedhur përfitimin politik dhe personal para llogaridhënies dhe respektimit te të drejtave të njeriut.
“Afatshkurtër, ajo mund të fitojë kështu, por afatgjatë do të hyjë në histori si presidente që lë trashëgimi narrativen kundër mediave për përfitime politike dhe personale,” u shpreh ajo.
Reagimi i juristes vjen pas raportimeve se Presidentja Osmani ka ndërhyrë për të ndaluar publikimin e një storie që lidhet me përdorimin e burimeve shtetërore për nevoja personale, thënë më saktë, për dërgimin e vajzave të saj në shkollë.
“Raportimi i faktit që presidentja përdorë burime shtetërore për të dërguar fëmijët e saj në shkollë është në interes të publikut dhe të gjitha veprimet për të stopuar raportimin janë të kundërligjshme,” përfundoi Kusari për GazetaBlic.


