Partitë opozitare po e vlerësojnë si çështje të kryer themelimin e Komisionit Hetimor për energjinë, raporton Gazeta Blic.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, iniciuese e nismës për themelimin e këtij komisioni, Abelard Tahiri ka sqaruar për Gazeta Blic procedurat se si mund të votohen emrat e kryetarit dhe anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar për energjinë.
Sipas tij, vet fakti se opozita i posedon 40 nënshkrime, me automatizëm llogaritet, sipas Tahirit, komisioni hetimor i krijuar, por që deputetet e Kuvendit duhet ta kryejnë edhe një procedurë që ky komision të jetë funksional.
“40 nënshkrim nënkuptojnë se komisioni është i themeluar. Kryesia e Kuvendit mblidhet brenda dy ditëve ku do të caktohet rendi i ditës për seancën plenare e ku aty si pikë e rendit të ditës do të jetë edhe Komisioni’, ka thënë Tahiri.
Ai është i bindur se ky komision në seancën e radhë së Kuvendit të Kosovës do të jetësohet.
“Grupet parlamentare vendosin për emrin e Kryesuesit dhe anëtarëve dhe ata votohen në Kuvend”, thotë ai.
Edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi ka thënë se çështja e komisioni hetimor do të hyjë në rend ditës kurdo që thirret seanca plenare e Kuvendit.
“ Hyn në rend dite në seancën e radhës”, ka thënë ai.
Se një gjë e tillë do të ndodh gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit që komisioni hetimor t futet në rend dite e ka thënë edhe i GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri.
Më herët gazeta Blic raportoi ekskluzivisht se deputeti i LDK Driton Selmanaj ishte planifikuar që të jetë shef i këtij komisioni .
Partitë opozitare e kishin planifikuar deri në detaje formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë.
“Driton Selmanaj është paraparë të jetë kryesues i Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë”, thonë burime të Gazeta Blic.
Sipas këtyre burimeve, Selmanaj madje as nuk ishte nënshkruar fare tek lista e deputetëve për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.


