Lajme

Opozita nuk e bojkoton vetëm Kryesinë e Kuvendit, aty sërish tentojnë ta shtyjnë përpara Komisionin hetimor

04/20/2022 10:51
nga:N M

Tri partitë opozitare partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë zyrtarisht kanë bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës, derisa kërkesa e tyre për themelimin e Komisionit hetimor për energji të jetësohet, raporton Gazeta Blic.

Por përveç dje kur opozita lëshoi sallën e Kuvendit dhe dolën edhe njëherë me qëndrim zyrtar se nuk do të marrin pjesë në seancat plenare, sot opozita ka bojkotuar edhe Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kërkesa e tyre ka qenë e njëjtë – krijimi i Komisionit hetimor për energji.

Por është një organ tjetër që lidhet me Kuvendin e Kosovës, e që shefat e grupeve parlamentare të tri partive opozitare kanë vendosur të mos e bojkotojnë, e që po e shohin mënyrë të vetme për ta shtyrë përpara kërkesën e tyre për krijimin e komisionit hetimor për energji – Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë për Gazeta Blic se, Kryesia e Kuvendit mbetet organi që opozita do ta kërkojë shtyrjen përpara që komisioni hetimor për energji të votohet në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk ka datë se kur mund të mblidhet Kryesia e Kuvendit, por që tri partitë nuk do ta bojkotojmë sepse përmes Kryesisë do të kërkojmë që komisioni të themelohet në Kuvend”, ka thënë ai.

Pas një debati të ashëpr për më shumë se një orë e gjysmë dje gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ndërmjet shefave të grupeve parlamentare pozitë – opozitë, PDK kishte kërkuar që të themelohet një komision hetimor parlamentar për energji, duke mbledhur kështu 40 nënshkrime e përkrahur edhe nga LDK e AAK.

Përmes mocionit procedural që ishte hedhur në votim kërkesa e tyre që të futet si pikë e rendit të ditës themelimi i këtij komisioni nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve të Kuvendit.

Mohimi i një të drejte kushtetuese e ka quajtur opozita mos krijimin e këtij komisioni, përderisa shefja e grupit parlamentar të VV-së Mimoza Kusari ka thënë se proceduralisht opozita e kishte huqur kërkesën e tyre për themelimin e këtij komisioni.

“Do të jetë njollë në të gjitha raportet ndërkombëtare”, thotë Gashi për bllokimin e komisionit nga VV

Opozita e braktis edhe Komisionin, s’voton asgjë deri në themelimin e Komisionit Hetimor