Sporti

Olti Hyseni refuzon publikisht Kosovën: Ndihem danez!

03/28/2024 12:34
nga:Lorik J

Olti Hyseni, futbollisti 16-vjeçar që po mahnit të gjithë këtë edicion në Danimarkë, kategorikisht ka mohuar mundësinë që në të ardhmen mund ta veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës.

Hyseni i ka prindërit nga Kosova, por është lindur dhe rritur në Danimarkë. Lojtari që luan në krahun e majtë dhe këtë vit debutoi në kategorinë e dytë të futbollit danez me ekipin Sonderjyske, ka thënë se e ndjen veten më shumë danez.

Kështu që, Kosova nuk është opsioni i Hysenit, i cili ka shtuar se Danimarka e ka kombëtaren më të mirë.

“Nëna ime erdhi në Danimarkë në vitin 1999. Babai im nuk kishte nënshtetësi daneze dhe nuk u lejua të qëndronte. Në vitin 2007 mori lejen e qëndrimit dhe erdhi në Danimarkë, një ditë para se të lindja unë”, ka thënë Hyseni në një intervistë.

Ai është golashënuesi më i ri në historinë e Sonderjysket, ku në edicionin e tij debutues me ekipin e parë ka 2 gola dhe 1 asistim në gjashtë paraqitje kampionale.

“Kam ndjesinë se ka pak Kosovë në mua, por jam më danez. Unë kam lindur dhe jam rritur këtu dhe të luaj për Kosovën nuk është pjesë e konsideratës sime. Ndihem danez, dhe Danimarka ka gjithashtu kombëtaren më të mirë”, ka shtuar Hyseni.

Vitin e shkuar, Hyseni ka firmosur kontratë trevjeçare me Sonderjysken, ekip që është në rrugë të mirë për t’u ngjitur në elitën e futbollit danez edicionin e ardhshëm. Hyseni ka kontratë me këtë ekip deri në fund të vitit 2026.