Dy kompani të derivateve të naftës, që dikur ishin në shënjestër të akuzave nga Lëvizja Vetëvendosje për përfitime milionëshe nëpërmjet lidhjeve me partitë në pushtet, janë shpallur sërish fituese të një tenderi publik në vlerë totale afro 16 milionë euro.
Bëhet fjalë për tenderin për furnizim me karburante për institucionet publike të nivelit qendror dhe lokal, të shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), shkruan Gazeta INFOKUSI.
Kompania HIB Petrol, që dikur kishte një pronar të vetëm, Ibrahim Bucaliun, i njohur historikisht për lidhjet e tij me Partinë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministrin dhe presidentin Hashim Thaçi, si dhe me krerë të lartë të LDK-së sa ishin në pushtet, tani sërish del të jetë fituese në pjesën më të madhe të tenderit për furnizim të institucioneve me derivate.
Kësaj here duke kamufluar me gjoja një konzorcium, apo siç emërohet sipas ligjit të prokurimit publik “grupi i operatorëve ekonomikë”, e që në fakt janë të gjitha HIB: “HIB PETROL SH.P.K., HIB Petrol Corporation SH.P.K. dhe HIB Distribution SH.P.K.”
Ky “grup operatorësh”, me një emër të njëjtë HIB, ka përfituar kulaqin më të madh të këtij tenderi. Prej 7 loteve që tashmë janë shpallur fituesit, nga gjithsej 9 sa është i ndarë tenderi, HIB ka fituar 3 lote në një vlerë prej hiç më pak se 8.2 milionë euro.
Lot 1 për furnizim me derivate për Policinë e Kosovës, në vlerë prej 4 milionë e 702 mijë e 684 euro e 22 cent. Lot 3 për furnizim me derivate për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, në vlerë prej 1 milion e 917 mijë e 110 euro e 66 cent. Lot 8 për rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit, në vlerë prej 1 milion e 618 mijë e 520 euro e 37 cent.
Në total, HIB i familjes Bucaliu ka përfituar mbi 8.2 milionë euro nga ky tender publik, sipas dokumentit zyrtar për njoftim të kontratës të cilin e ka siguruar Gazeta INFOKUSI.
Kompania tjetër fituese është Petrol Company, në pronësi të Shkëlzen Jusajt, i njohur për afërsinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe vetë Ramush Haradinajn. Jusaj ka qenë edhe kandidat për deputet nga AAK në zgjedhjet e vitit 2014.
Petrol Company ka fituar po ashtu tre lote të rëndësishme nga ky tender. Në total, vlera e tyre është 4 milionë e 672 mijë euro. Petrol Company është shpallur fituese e Lot 2, për institucionet publike të nivelit qendror, në vlerë prej 2 milionë e 544 mijë e 367 euro e 39 cent. Në Lot 7, po ashtu për rajonin e Pejës dhe Gjakovës, në vlerë prej 1 milion e 394 mijë e 948 euro e 77 cent. Dhe Lot 9 për rajonin e Mitrovicës, në vlerë prej 733 mijë e 560 euro e 53 cent.
Sipas njoftimit të AQP-së, tenderi ka një vlerë totale prej 15,970,000 euro, ndërsa kontrata është e ndarë në 9 lote dhe është paraparë të zgjasë për një periudhë 12-mujore. Ndërsa për Lot 5 dhe Lot 6, AQP nuk ka publikuar kush është shpallur fitues.
Ndryshe në vitin shkollor 2014-2015 bujë të madhe kishin bërë akuzat e Komunës së Prishtinës drejtuar nga Shpend Ahmeti, atë kohë i Vetëvendosjes dhe zyrtare të lartë të këtij subjekti politik në drejtim të HIB Petrolit se nafta për ngrohje në shkollat e Prishtinës ishte jocilësore. 43 institucione arsimore ishin mbyllur atë kohë me urdhër të kryetarit Shpend Ahmeti, pasi që në 3 mostra që kishin marrë zyrtarët komunalë, niveli i squfurit në naftë kishte dalë të jetë 60 herë më i lartë sesa normalja e lejuar.
Pas kësaj, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për përfaqësues të kompanisë Hib Petrol, që furnizonte me naftë shkollat. Në maj të vitit 2015 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Kujtim Bucaliun, përfaqësues i HIB Petrol-it, me 4 vjet burg dhe 15 mijë euro gjobë. Ndërkaq, përfaqësuesit juridik të HIB Petrol-it, Shkelzen Hetajt gjykata i shqiptoi gjobë në vlerë prej 30 mijë eurosh. Derisa mbrojtja e tyre ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e kishte kthyer lëndën sërish në shkallën e parë. Këtu Bucaliu dhe Hetaj janë shpallur të pafajshëm. /Gazeta INFOKUSI/