Lajme

Nurtene Deva, e dënuar për vepër penale nga kapitulli i veprave të korrupsionit emërohet u.d rektore e Universitetit të Mitrovicës

03/11/2024 15:46
nga:G B

Në shtator 2022, Nurtene Deva ishte dënuar me 800 euro gjobë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, pasi e kishte pranuar kryerjen e veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobies tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Pavarësisht, këtij aktgjykimi dënues, Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, ka emëruar në pozitën e ushtrueses së detyrës, Nurtene Devën.

Kjo e fundit, ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 tetor 2021, pasi sipas Prokurorisë, ndonëse ishte e aftë të kuptonte rëndësinë e punës së saj dhe të menaxhonte veprimet e saj, ajo si zyrtare e lartë publike –anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, kishte vepruar në kundërshtim me nenin 8, paragrafi 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktakuzës, Deva nuk i kishte deklaruar të dhënat e kërkuara, në atë mënyrë që në formularin, i cili i referohet deklarimit të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, fitimit material në Agjencinë Kundër Korrupsionit në periudhën nga 1 mars 2020 deri më 31 mars 2020, për vitin paraprak, nuk ka deklaruar të dhënat e kërkuara në formën e sipërpërmendur, në lidhje me të hyrat dhe për vitin paraprak nga 1 janar 2019 deri më 31 dhjetor 2019, ku ka paraqitur shumën e të hyrave neto në vlerë prej 20 mijë e 213 euro, dhe jo të hyrat faktike në vlerë prej 25 mijë e 52 euro.

Gjatë periudhës kur Deva nuk e ka deklaruar pasurinë, ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës.

Lidhur me këtë, ajo akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, idhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal, e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Në anën tjetër, nga Universiteti i Mitrovicës, emërimin e saj në krye të Universitetit, e kanë arsyetuar me faktin se Nurtene Deva edhe pse e dënuar për vepër penale të korrupsionit, ajo gjobën e shqiptuar e ka paguar sipas ligjit.

“Aktgjykimit të cilit ju keni referuar është bërë i plotfuqishëm më 29.09.2022, ndërsa gjoba e shqiptuar sipas këtija ktgjykimi është paguar ashtu siç parashihet me ligj”, thuhet në përgjigjen e universitetit dhënë për “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tyre, mandati i Nurtene Devës në pozitën e anëtares së Këshillit Drejtues, ka përfunduar më 30 shtator 2021 dhe në kohën kur i është shqiptuar gjoba nuk ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit. Por, sipas aktakuzës, Deva nuk e ka bërë deklarimin e saktë të pasurisë gjatë vitit 2019 dhe 2020, pikërisht gjatë kohës sa ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues në universitet.

“Në kohën kur është shqiptuar ky dënim, ajo nuk ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues, ashtu siç pretendoni ju. Kjo përfaktin se mandati i saj në këtë KD ka përfunduar me30.09.2021. Për më tepër, edhe sikur pretendimi i juaj të ishtei saktë, sipas Ligjit mbi Arsimin e Lartë, anëtarët e Këshillit Drejtues mund të shkarkohen nga Ministria nëse ju shqiptohet një dënim për një vepër të rëndë penale që ndëshkohet me burgim prej më shumë se gjashtë muajsh (neni 18, paragrafët 6 dhe 7)”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Mitrovicës.

Në anën tjetër, lidhur me këtë rast “Betimi për Drejtësi” ka adresuar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, por ata nuk janë përgjigjur.

Në raportin e publikuar më 2023 nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull “Mosdeklarimi i pasurisë, krim në letër, kundërvajtje në praktikë”, është gjetur se gjatë vitit 2022 për të gjitha llojet e deklarimit të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) kanë qenë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë 5 mijë e 125 zyrtarë të lartë publikë. Gjatë këtij viti, APK ka përcjellë për precedim të mëtutjeshëm në institucionet kompetente 267 kallëzime penale dhe informata.

Tutje, në raport theksohet se numri më i madh i rasteve të dërguara në Prokurori janë për mosdeklarim të pasurisë dhelidhur më këtë vepër penale 208 kallëzime penale janë përcjellë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Prokurorin e Shtetit./BetimipërDrejtësi