Lajme

Numri i vogël i mësimdhënësve të vaksinuar, sfidë për vitin e ri shkollor

08/08/2021 18:39
nga:M K

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë bërë të gjitha përgatitjet që më 1 shtator të nisë viti i ri shkollor me prezencë fizike të nxënësve në shkolla.

Mirëpo, ky planifikim do të varet edhe nga numri i mësimdhënësve të vaksinuar, që deri më tani sipas MASHTI-t janë vaksinuar vetëm rreth 50 përqind prej tyre.

E para e ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, deklaron se planifikimi i tyre është që viti i ri shkollor të nis me prezencë fizike, por që thotë se parakusht për realizimin e këtij plani është vaksinimi i mësimdhënësve.

Vetëm vaksinimi i mësimdhënësve, Nagavci potencon se nuk e rrezikon mbajtjen e procesit mësimor në objektet shkollore.

“Planifikimi jonë i tanishëm është që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike të nxënësve dhe të mësimdhënësve në shkolla dhe kjo nënkupton që edhe nga ana jonë si ministri, edhe nga ana e DKA-ve janë bërë përgatitjet e nevojshme, por njëra nga këto parakushte është edhe vaksinimi i mësimdhënësve. Andaj unë shpresoj, pres dhe besoj që deri në fillim të vitit të ri shkollor mësimdhënësit do të jenë të vaksinuar së paku me dozën e parë të vaksinës, ashtu që të mos kemi ndonjë shqetësim në lidhje me shëndetin publik dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, aq më shumë tani me variantet e reja të virusit. Kështu që, pres që të plotësohen të gjitha parakushtet edhe të kemi një rikthim të plotë të nxënësve në shkolla me pjesëmarrje fizike të tyre edhe me rezultate më të larta të cilat për shkak të pandemisë është evidente që kërkojnë shumë punë dhe përkushtim”, thotë ajo.

Sa i përket mundësisë që vaksinimi të bëhet i detyruar për mësimdhënësit, Nagavci potencon se aktualisht nuk mund të marrin ndonjë vendim si ministri, por që nuk përjashton mundësinë që një vendim i tillë të ndërmerret në nivel të qeverisë.

Përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor i kanë bërë edhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, që përfshijnë renovimet në shkolla, punësimin e mësimdhënësve e pajisjen e shkollave me pajisje teknologjike. Krahas përgatitjeve, DKA-të shprehen se janë të përkushtuar që mësimi të nis me prezencë fizike në shkolla.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, thotë se kthimi i procesit mësimor në normalitet varet edhe nga situata epidemiologjike dhe vaksinimi i mësimdhënësve.

Si komunë ajo potencon se kanë bërë të gjitha përgatitjet që mësimi të nis më 1 shtator dhe me prezencë fizike në objektet shkollore.

Shala bënë të ditur se në Komunën e Prishtinës deri më tash janë vaksinuar rreth 60 përqind e mësimdhënësve.

“Mendoj që ai do të jetë hapi i radhës, po varet edhe nga kushtet epidemiologjike të cilat do të na ndjekin deri më 1 shtator. Mirëpo ne si komunë jemi të gatshëm, gjithashtu sipas informatave që i kemi nga shkollat diku mbi 60 përqind të mësimdhënësve veç janë vaksinuar, ndoshta do të kemi problem vaksinimet e nxënësve sepse prindërit po hezitojnë në disa raste t’i vaksinojnë, përndryshe mësimdhënësit besoj që një pjesë e madhe e tyre deri më 1 shtator do t’i kryejnë të dy pjesët e vaksinimit”, thotë Shala.

Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Istogut, Hajrush Shoshi, potencon se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e procesit mësimor.

Shoshi deklaron se ditëve të fundit ka shtim të interesimit të mësimdhënësve për t’u vaksinuar, ani pse deri më tash nga kjo komunë prej 540 mësimdhënësve janë vaksinuar vetëm 40 përqind e tyre.

“Jemi duke i kryer të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, duke filluar nga renovimet e objekteve, përgatitjet, pastrimet e shkollave, të oborreve…Sa i përket vaksinimit kemi informacion ditëve të fundit që është intensifikuar vaksinimi i mësimdhënësve, do të thotë është rritur interesimi pak më shumë. Prandaj pjesa dërrmuese e kanë marrë vaksinën e parë janë duke pritur për të marrë edhe dozën e dytë, po besoj që të gjitha përgatitjet do të jenë të gatshme…Sa kam informacione unë rreth 40 përqind të vaksinuar deri më tani, tash varet edhe nga përgatitjet që do t’i bëjmë së bashku me Ministrinë e Arsimit, varet edhe nga situata pandemike”, thotë Shoshi.

Përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë përfunduar edhe nga Komuna e Rahovecit, thotë drejtori i arsimit në këtë komunë, Avni Morina. Ai shprehet se tashmë kanë realizuar të gjitha punët sa i përket renovimeve dhe plotësimit të vendeve të punës për mësimdhënësit.

Megjithëse nga 754 mësimdhënës që ka kjo komunë vetëm 30 përqind prej tyre janë vaksinuar, Morina potencon se nuk ka ndonjë hezitim nga mësimdhënësit për t’u imunizuar.

“Deri më tani diku rreth 30 përqind të mësimdhënësve janë të vaksinuar, mirëpo ky proces po vazhdon, nuk ka vaksinim të organizuar por në mënyrë individuale. Nuk ka ndonjë hezitim deri tash, është edhe një iniciativë që ka rrjedh nga Kolegjiumi për Arsim që është në nivel vendi, nga i cili kanë kërkuar dhe vlerësimin tonë që a jemi të pajtimit që të vazhdohet me procesin e vaksinimit të mësimdhënësve, ne mendojmë që është mirë që ky proces të vazhdohet në mënyrë që gjatë këtij muaji të kryhet plotësisht vaksinimi iu të gjithë mësimdhënësve”, thotë ai.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është bërë e ditur se deri më tani si arsimtarë janë deklaruar 3458 persona të vaksinuar, 193 drejtorë të shkollave, edukues fizikë 108, mësimdhënës 7680, profesorë 3926, punëtorë arsimi 1704 të vaksinuar, nxënës që janë 319, studentë 12395.