Sporti

Nuk u arritën objektivat, Qatip Osmani largohet nga Shkëndija

05/14/2023 23:43
nga:Lorik J

Shkëndija e ka mbyllur me fitore sezonin garues 2022/2023 në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoni. Kuqezinjtë ishin mysafirë të Rabotniçkit, në Shkup, në xhiron e 33-të dhe morën fitoren e 16-të sezonale me golat e Dorievit dhe Shalës, ndërsa pas ndeshjes trajneri Qatip Osmani ka njoftuar dorëheqjen.

“Ishte ndeshje interesante me raste shënimi nga të dyja palët. Luajtëm me ekip të kombinuar dhe prapë se prapë mendoj se me meritë morëm fitoren.

A mund të bëhej më mirë këtë sezon? Mendoj se gjithmonë mund të bëhet më mirë. Por ajo që është më e rëndësishme në këtë moment është se kjo ishte ndeshja e fundit për mua si trajner i Shkëndijës.

Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë për përkrahjen që kam pasur këtë vit, duke filluar nga ekonomat, stafit mjekësor, stafit teknik, udhëheqësisë, publikut, “Ballistëve” dhe ndoshta më me rëndësi kompanisë “Ecolog” e cila vazhdimisht vite me radhë investon në këtë ekip për të ndërtuar një klub Evropian.”

KF Shkëndija falënderon Qatip Osmanin për angazhimin e tij në klub, duke i uruar shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen./ss