Prishtinë-Është konfirmuar vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për shkarkimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanović dhe udhëheqësit të Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq.
Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga burimet brenda KGJK-së të cilat thonë se dy gjyqtarët nuk u ankuan në Gjykatën Supreme.
E që kandidatët nuk janë ankuar në Supreme, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.
Po ashtu, sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi” presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka liruar nga detyra dy gjyqtarët.
Ndërsa, vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me Stevanovic dhe Kabashiq ende nuk është bërë publik.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës në takimin që kishte mbajtur me 28 korrik 2023 kishte marrë vendim që t’i propozojë Presidentes së Republikës së Kosovës shkarkimin e Ljiljana Stevanović, dhe Nikolla Kabashiq nga pozitat që mbanin. Propozimi për shkarimin e Stevanovic dhe Kabashiq ka ardhur pasi KGJK e ka cilësuar shkelje të rëndë disiplinore pjesëmarrjen e tyre në tubimet politike të organizuara nga “Lista Serbe”.
Vlen të theksohet se vendimi i KGJK-së ka pasur mundësi të ankimohet në Gjykatën Supreme e po ashtu i njëjti ka hyrë në fuqi pasi asnjëra nga palët nuk kanë parashtruar ankesë.
Shkarkimi i Stevanović dhe Kabashiq ndërlidhet me pjesëmarrjen e tyre protestat e organizuara nga “Lista Serbe”, protesta këto që kishte ndodhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.


