Pas një periudhe larg angazhimit profesional, Havushe Bunjaku vendosi t’i bashkojë njohuritë akademike në biologji me përvojën shumëvjeçare në njohjen e bimëve dhe bujqësisë, duke krijuar një veprimtari të re në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike.
Ish-mësimdhënësja e biologjisë dhe themeluesja e biznesit “99 Lule”, pas ndërprerjes së punës për t’iu përkushtuar rritjes së tre fëmijëve, vendosi të rikthehej në angazhimin profesional përmes sipërmarrjes.
Ajo thotë se përveç përkushtimit ndaj familjes, kishte dëshirë të kontribuonte edhe në mirëqenien ekonomike të saj, por edhe të gjente një mision më të gjerë në shoqëri.
“Mu duk që nuk mjafton për fëmijët vetëm dashuria dhe kujdesi i një nëne, sepse familja ka nevojë edhe për mirëqenie ekonomike. Doja t’i bashkoja forcat me bashkëshortin, të krijoja të ardhura dhe të dëshmoja se si grua mund të arrija diçka më shumë sesa roli i amvises”, shprehet Bunjaku në një rrëfim për “Expose”.
Ajo tregon se pikërisht njohuritë e fituara gjatë studimeve universitare për biologji dhe përvoja praktike me bimët dhe bujqësinë e shtynë të ndërmerrte këtë hap.
/GazetaBlic

