13 punëtorë të sigurimit fizik të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” kanë mbetur pa punë pas përfundimit të kontratës për shërbimet e sigurimit më 26 gusht.
Punëtorët, shumica prej të cilëve thonë se kanë rreth 20 vite angazhim në këtë institucion, e konsiderojnë të padrejtë mosvazhdimin e angazhimit të tyre. Ata përgjegjësinë për situatën ia adresojnë menaxhmentit të Universitetit dhe rektorit Drilon Bunjaku.
Ndërkohë, në vend të tyre, Universiteti ka angazhuar përkohësisht zyrtarë policorë për sigurimin e objekteve.
Rektori Bunjaku thotë se Universiteti nuk i ka larguar punëtorët nga puna, pasi ata kanë qenë të kontraktuar nga kompania private e sigurimit. Sipas tij, ka përfunduar kontrata mes Universitetit dhe kompanisë, ndërsa angazhimi i policisë është i përkohshëm, deri në përfundimin e procedurës së re të prokurimit.
Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se më 28 gusht është lidhur marrëveshje me Universitetin e Gjakovës për sigurimin e objekteve 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, përmes punës sekondare të zyrtarëve policorë./Kiks Kosova


