Shteti nga kontineti afrikan, Kenia e ka njohur sot pavarësinë e Kosovës, e në lidhje me këtë sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka folur këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, duke thënë se angazhimi për këtë ka nisur që nga viti 2016.
Zyberaj gjithashtu tha se kjo njohje duhet të shërbejë si ogur i mirë për institucionet e shtetit tonë.
“Dita e sotme ka qenë një ditë në të cilën është kurorëzuar një angazhim disavjeçar në këtë drejtim. Angazhimi jonë për të përfituar, për të marrë njohjen nga ky vend jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndër më të rëndësishmit në kontinentin afrikan, ka filluar që në vitin 2016, në atë periudh, presidenti aktual, i cili përveçse mik i presidentit Pacolli, konsiderohet edhe si mik i Kosovës, në atë periudh ka qenë zëvëndëspresident dhe me të cilin në vazhdimësi jemi angazhuar, kemi punuar deri te momenti në të cilin u kurorëzua sot”.
“Sot ishte një ditë shumë e bukur, një ditë në të cilën ne ndihemi krenar për atë se çfarë përfaqësojmë, për angazhimin tonë dhe një ditë në të cilën duhet të ndihen mirë të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo njohje, njohna nga një prej shteteve më të rëndësishëm të kontinentit të Afrikës, duhet të shërbejë edhe si ogur i mirë për institucionet e shtetit tonë, për diplomacinë tonë, që të angazhohemi të gjithë bashkë, por që barra e përgjegjësisë bie natyrisht mbi ta, ngase mundësitë ekzistojnë dhe e drejta është në anën e Kosovës, e drejta është në anën e qytetarve të Kosovës”, ka thënë Zyberaj.