Lajme

Njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë kërkojnë të lejohen qytetarët që të tërheqin mjete nga Trusti

02/21/2022 19:23
nga:Q R

Njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë, kërkojnë të lejohen qytetarët që të tërheqin mjete nga Trusti. Kjo, sipas tyre, do ta zbuste sadopak situatën e vështirë financiare aktuale, shkruan Gazeta Blic.

Kryetari i OAK, Skënder Krasniqi, thotë për ‘Gazeta Blic’ se përkrahja duhet të vie direkt nga shteti dhe jo nga buxheti i varfër i qytetarëve të Kosovës.

“OAK është që përkrahja të vie direkt nga shteti apo nga tatimet e tyre që i paguajnë e që do të duhej t’i kthehen qytetarëve, e jo nga buxheti i varfër i qytetarëve të Kosovës që me shumë mund kanë kursyer për pensionet e tyre në trust”, deklaron Krasniqi.

Kurse, ekonomisti Mustafë Kadriaj, thotë për ‘Gazeta Blic’ se është pro tërheqjës së mjeteve nga trusti. Sipas tij, qeveria Kurti nuk po ofron alternativ të përkrahjes e as shpres për qytetarët.

“Që nga fillimi kam qenë pro tërheqjes për dy arsye sepse janë kursimet e tyre si dhe do e lehtësonte sadopak jetën e tyre. Ndërsa Qeveria nuk ofron alternativ të përkrahjes, por vetëm shprehet që nuk bënë, me arsyetimin që po rrezikohet likuiditeti financar si dhe kursimet e tyre. Kjo qeveri as shpres nuk të ofron e të mos flasim për ndihmë. Qytetari vetëm po kërkon djersen e vet të kursyer, pra nuk po kërkon që të rëndohet buxheti i Republikes së Kosovës. Nga qeveria Kurti nuk pres që do jetë në përkrahje të qytetarit për faktin që gjithnjë ka qenë kundër tërheqjes nga qytetarët me arsyrtimin që po rrezikohen kursimet e tyre”, vlerëson Kadriaj

Ndryshe, pas PDK-së edhe AAK ka kërkuar që qytetarëve t’iu lejohet edhe një tjetër tërheqje e parave nga Trusti.

I pari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se qytetarët janë në gjendje të vështirë ekonomike si pasojë e rritjes së çmimeve dhe sipas tij vendimi për një tjetër lejim për tërheqje të mjeteve nga Trusti do të ishte i domosdoshëm.

“Qytetarët në Kosovë janë në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale. Shtrenjtimi i artikujve elementarë për jetesë, ka shtyrë shumë kategori që të përballen gjithnjë e më shpesh me mbijetesën ekonomike”, ka thënë ai.

Me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, kur qytetarëve iu mundësua të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti, për katër muaj sa zgjati aplikimi, u tërhoqën mbi 197 milionë euro.

Ramush Haradinaj: Të lejohen qytetarët që të tërheqin mjete nga Trusti